30/10/2024
17.4 C
Tetovo

Të tjera lajme

Gruevski po kthehet, tapeta e kuqe drejt Qeverisë apo burgut?

Më herët shtrohej pyetja nëse do të kthehet ndonjëherë në Maqedoninë e Veriut azilanti politik, Nikolla Gruevski, dhe tani kjo dilemë është shuar pasi është siguruar kthimi i tij dhe është përgatitur tapeta e kuqe por deri në këto momente ka dilema tapeta do të shtrohet drejt burgut apo Qeverisë? Ajo që krijon habi është fakti se si lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, në një paraqitje televizive e amnistoi në mënyrën më të drejtpërdrejt të mundshme duke deklaruar që Gruevski nuk ka qenë i keq por mediat kanë krijuar këtë imazh për të. Madje, jo më larg se dy ditë më herët, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, deklaroi që Gruevski është më mirë të kthehet në vend, sepse informacionet që i ka Gruevski janë të rëndësishme për vendin. Me shumë gjasë BDI-ja është e mendimit që Gruevskit duhet t’i shtrohet tapeta drejt Qeverisë, ndërkaq nga LSDM po e tërheqin tapetën drejt burgut. Sapo të shkelë në Maqedoninë e Veriut, Nikolla Gruevski, do të shkojë në burg është shprehur zëdhënësi dhe deputeti i LSDM-së. Prandaj, do të shihet ditëve në vijim nëse tapeta do të mbetet për Gruevskin në Qeveri ose do të tërhiqet drejt burgut, shkruan Zhurnal.

Gruevski do të kthehet në vend por ku do të përfundojë në burg apo Qeveri?

Sapo të shkelë në Maqedoninë e Veriut, Nikolla Gruevski, do të shkojë në burg, është shprehur zëdhënësi dhe deputeti i LSDM-së, Darko Kaevski, i pyetur se si e komenton deklaratën e Ministrit të Jashtëm Bujar Osmani i cili tha se ish-kryeministri Gruevski më mirë të përballet me drejtësinë, sesa informacionet që i ka të jenë në duar të një shtetit tjetër.

“Nikolla Greuvski, në atë moment që do të shkelë në shtetin tonë, do të mbajë dënimin me burg në përputhje me aktgjykimet pozitive”, tha Darko Kaevski, zëdhënës/deputet LSDM.

Nga ana tjetër, të pyetur për deklaratën e ministrit të jashtëm, opozitarja VMRO-DPMNE tha se ajo vetëm i konfirmon pohimet e tyre se ka komunikim mes BDI-së dhe Gruevskit.

Kreu i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, në një deklaratë për “Lajm”, ka parashtruar pyetjen se a po përgatitet Bujar Osmani dhe të tjerët që Gruevskin ta kthejnë në Shkup më 23 tetor në ditën e VMRO-së?

“Edhe pse personalisht kam menduar që në vitin 2016 BDI i ka ndarë rrugët me regjimin e Nikolla Gruevskit, fatkeqësisht Bujar Osmani e vërtetoi se në mënyrë të fshehtë e kanë mbajtur komunikimin, i kanë ndihmuar njëri-tjetrit dhe Bujar Osmani edhe një herë vërtetoi që po punojnë për ta rikthyer Gruevskin, për këtë arsye bënë ndryshimin e Kodit Penal, për këtë arsye flasin për Ligj për Amnisti vetëm e vetëm të jenë në funksion të rikthimit të Gruevskit”, deklaroi Izet Mexhiti, kreu Lëvizjes Demokratike.

Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani në intervistë për TV21, tha se ish-kryeministri Gruevski duhet të jetë në Maqedoninë e Veriut dhe të përballet me drejtësinë, pasi që ka informacione të rëndësishme që mund të jenë në duar të një shtetit tjetër, duke aluduar se siguria e shtetit është cenuar nga mungesa e ish-kryeministrit, i cili gëzon azil në Budapest.

“Nga pikëpamja politike, është një çështje që e di që do të keqpërdoret, por nga pikëpamja e sigurisë, të kesh një kryeministër që ishte kryeministër për më shumë se 10 vjet dhe i kishte të gjitha informacionet e shtetit dhe është në duart e një shteti tjetër, kjo nuk është mirë për asnjë shtet”, tha Bujar Osmani.

Cila mund të jetë arsyeja që Gruevskit ende nuk po i bie rejtingu?

Politikani në azil, i arratisur nga vendi për të mos mbajtur dënimin për afera korruptive u bë politikani më i besueshëm në vend. Bëhet fjalë për anketën e fundit të Institutit Ndërkombëtar Republikan – IRI, ku si personazhi më i dëshiruar politik në vend është ish kryeministri i vendit, Nikolla Gruevski, me 7% besueshmëri, anketë kjo e publikuar në janar të këtij viti.

Kjo tregon që qytetarët maqedonas kanë nevojë për Gruevizmin promotorin e anti-shqiptarizmit, mbase kjo mund të jetë edhe arsyeja kryesore që pse ende nuk po i bie rejtingu këtij ish politikani e azilanti aktual. Se qytetarët maqedonas janë të etur për politikë anti0shqiptare, dëshmohet edhe nga fuqizimi i opozitares maqedonase “E majta” në krye me Apasievin që nga hiçi mori një përkrahje të madhe, e sipas anktës së IRI-it, është partia e katërt me besueshmëri më të madhe pas VMRO-së, LSDM-së dhe BDI-së.

Kujtojmë që, gjatë qeverisjes së Gruevskit shumë raste politike janë montuar ku shqiptarët janë viktimizuar dhe disa prej tyre kanë vdekur në kërkim të drejtësisë. Pra, shqiptarët me fjalë të tjera janë dergjur burgjeve dhe po dergjen ende si pasojë e mos daljes së dritës së shpresës në institucionet e drejtësisë. Me Gruevskin ka lulëzuar korrupsioni, krimi, dhe politikat e tij kanë qenë të fokusuara në dy drejtime vjedhje të buxhetit dhe politika anti-shqiptare. Rrahjet e nxënësve shqiptarë në autobusë që me fjalë të tjera nxitja e një klime apo urrejtje ndëretnike dhe kapja e mediave kanë qenë specialiteti i preferuar i këtij azilanti.

Megjithatë, ajo që vlen të theksohet, është fakti se qytetarëve u ka ardhur mbi kokë politika vendore dhe se nuk dëshirojnë të dëgjojnë për asnjë nga politikanët. Kjo nga fakti se sipas anketës së lartpërmendur 38% e qytetarëve janë shprehur se nuk duan asnjë politikan. /Zhurnal.mk

Të fundit