Kanë vijuar spekulimet në rrjetet sociale sa i përket formimit të Qeverisë së re dhe pozicioneve të partive politike. Për të dhënë më shumë dritë mbi çështjen e bisedimeve por edhe pozicionin shumë të përfolur të Lëvizjes BESA ka reaguar në rrjetin social Facebook sekretari gjeneral i Besës, Arjanit Hoxha.
“Ne patëm një takim të përbashkët, të rregullt për të shkëmbyer mendime se si duhet të duket shumica e re qeverisëse e udhëhequr nga mandatari Zoran Zaev. Ne nuk mund ta kuptojmë kuriozitetin e disa partive që përmes mediave/portaleve të tyre “shqetësohen” për pozicionin e Lëvizjes BESA, prandaj ne ju themi publikisht se komunikimi midis LSDM-së dhe BESA-s është i rregullt për çdo ditë, në të gjitha nivelet, si ato zyrtare ashtu edhe joformale”, shkruan Hoxha.
Hoxha thekson se partitë të cilën kanë dertin e Lëvizjes Besa duhet të kujdesen më shumë për pozicionet e tyre pasi do të jetë pikërisht Besa ajo që do të vendos për momentin vendimtar.
“Disa parti politike duhet të kujdesen më shumë për pozicionet e tyre dhe jo për Lëvizjen BESA, megjithëse “kuriozitetin” dhe “shqetsimin” e tyre do ta kemi parasysh në momentet vendimtare kur duhet të vendosim për një partneritet në qeverinë e ardhshme”-përfundon Hoxha.Zhurnal.mk