31/10/2024
9.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Inkasimi i shitësve, përplasen komuna dhe myftynia e Tetovës

Komuna e Tetovës akuzon Myftininë e Tetovës dhe myftiun e shkarkuar Qani
Nesimi se pa të drejtë dhe pa iu dhënë kuponë fiskal, inkasojnë nga shitësit qira për
shfrytëzimin ditor të trotuareve, ndërsa për këto mjete nuk paguhet tatim..Nga
komuna e Tetovës thonë se të drejtat për inkasim apo jo të mjeteve kanë vetëm
institucionet përkatëse, e në këtë rast, organet komunale. Nga atje thonë se shitësit
nuk duhet të paguajnë qira për shfrytëzim të hapësirave publike në ditën e tregut.
“Ky aksion është kryer në përputhje të plotë me ligjin, përfshirë edhe Drejtoria e të Hyrave Publike,
Inspektorati i Tregut, si dhe asistenca e Policisë, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve nga çdo formë abuzimi apo zhvatjeje të paligjshme. Theksojmë se askush, përfshirë këtu edhe organizatat pa kompetenca ligjore në këtë çështje, nuk ka të drejtë të vendosë tarifa apo të përfitojë nga shitësit ambulantë, të cilët luftojnë për mbijetesë përmes punës së tyre. Në këtë rast, Myftinia e Tetovës me në krye Qani Nesimin, nuk ka kompetenca për të mbledhur para nga këta shitës. Çdo pagesë apo veprim ligjor duhet të kryhet nga një subjekt i autorizuar, i fiskalizuar dhe i njohur ligjërisht”, tha Besarta Ramadani, zëdhënëse e komunës së Tetovës.
Nga Myftinia e Tetovës pranojnë se kanë inkasuar mjete nga shitësit, por se të njëjtat kanë qenë për mirëmbajtjen e varrezave.
“Nga 2002 ky Pazar është aktiv dhe janë marrëveshjet me komunën që ti shfrytëzojmë këto hapësira sepse shfrytëzohen rreth e qark objektet e varrezave. Pazari i grave që është hapsira është vakëf. Rruga është e vërtetë se është pronë shtetërore dhe është vakëf, por janë varreza mbi atë asfalt ku kalojmë ne dhe nuk pretendojmë se është pronë e jona apo se ne duhet të marrim nga shitësit, por le ti merr komuna dhe le ta mirëmbajë, por ne kemi dëmtime që bëhen dhe kjo është një marrëveshje me një çmim simbolik. Komuna
nuk kërkon prej nesh që të merremi vesh por e bën tinëzisht. Përse, nuk e di”, u shpreh Qani Nesimi, myftinia e Tetovës.
Nga ana tjetër, shitësit janë në hall nëse duhet apo nuk duhet të paguajnë qiranë ditore tek njerëzit e myftinisë së Tetovës. Kërkojnë nga dy institucionet që të merren vesh mes veti.

Nga komuna e Tetovës paralajmëruan padi në rast se Myftinia vazhdon t’i inkasojë mjete nga shitësit./TV KOHA/

Të fundit