14/06/2024
22.3 C
Tetovo

Të tjera lajme

Inspektorët e tregut mbrëmë në terren nëpër furrat e bukës, drejtori i IShT-së tha se do të ketë bukë

Inspektorët e Inspektoratit Shtetëror të Tregut (IShT) kanë dalë sonte në terren për të kontrolluar nëse po respektohet vendimi për ngrirjen e çmimit të bukës, transmeton Portalb.mk.

Drejtori i IShT-së, Goran Trajkovski, tha se do të ketë bukë sepse është e papranueshme që nuk ka një produkt të tillë bazë.

“Është e papranueshme që një produkt bazë të mos jetë në dispozicion të qytetarëve! Prandaj apeloj që të respektohet Vendimi i Qeverisë për ngrirjen e çmimit të bukës dhe qytetarët të jenë pa merak sepse buka që mbulohet me Vendim do të jetë në dispozicion. Edhe sonte inspektorët janë në terren dhe janë duke bërë kontrolle në bazë të Vendimit dhe do të vazhdojnë më tej. Askush nuk do të kursehet nga ligji dhe do të sanksionohet pa selektivitet! Kriza ekonomike duhet të jetë tregues solidariteti, jo abuzimi dhe përfitimi. Shembull për këtë janë prodhuesit të cilët sot nuk u bashkuan në ndalimin e shpërndarjes së bukës së përfshirë me Vendimin dhe i furnizuan qytetarët pa ndërprerje”, tha sonte Trajkovski.

Qeveria dy ditë më parë mori vendim për ngrirjen e çmimit të bukës së bardhë dhe gjysmë të bardhë, të prerë në copa ose të plota, për 33 denarë për bukë 450 gram e më tepër, ndërsa për bukën me peshë nën 450 gram, është përcaktuar çmimi maksimal deri në 33 denarë për bukë, varësisht nga pesha. Megjithatë, disa prodhues u revoltuan dhe vendosën të mos prodhonin bukë.

Dje në mëngjes, marketet në Shkup nuk kanë marrë bukë nga prodhuesit kryesorë të këtij produkti bazë ushqimor. Prodhuesit e mëdhenj të bukës, si “Zhito Luks”, “Uni Luks”, furra “Dime” dhe fabrika të tjera, dje nuk kishin dorëzuar bukë dhe gjysmë bukë të bardhë në dyqane.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha pardje tha se çmimi i bukës është ngrirë për shkak se kompanitë nuk i kanë ulur çmimet e produkteve bazë përkundër masave anti-krizë të Qeverisë. Gjithashtu, qeveria hoqi çmimin e subvencionuar të energjisë elektrike.

“Masat antikrizë i morëm për të siguruar një vjeshtë dhe dimër të qetë dhe të parashikueshëm për qytetarët dhe kompanitë gjatë krizës energjetike. Kompanitë kanë marrë çmim më të ulët se berza të energjisë elektrike përmes EMV. Ka kaluar mjaft kohë nga pakoja e fundit e masave që çmimet të harmonizohen. Nga kontrollet e Inspektoratit të Tregut rezultoi se ndonëse kompanitë marrin energji elektrike të subvencionuar, çmimet nuk u ulën apo i ulën shumë pak. Nuk do të lejoj rritje të pajustifikuara të çmimeve. Prandaj në seancën e sotme e anuluam këtë masë. Prodhuesit e produkteve ushqimore bazë do të furnizohen me energji elektrike në përputhje me Ligjin për Energji dhe rregullat për furnizim me energji elektrike”, tha Kovaçevski pas seancës së qeverisë.

Qeveria vendosi për këtë hap pasi analizat e Ministrisë së Ekonomisë dhe shërbimeve të inspektimit rezultuan se kishte keqpërdorime me çmimet.

Pas njoftimit për ngrirjen e çmimit të bukës, industria e furrës tha se fillimisht do të presin publikimin e vendimit në Gazetën Zyrtare.

Të fundit