Shëndeti mbetet themeli i një të ardhmeje më të sigurt, më të shëndetshme dhe më të begatë. Investimi në shëndetësi është investim në jetën, mirëqenien dhe të ardhmen e brezave që do të ndërtojnë shoqërinë tonë.

Spitali Gjinekologjik i Çairit është pajisur me një inkubator modern, falë një donacioni në vlerë prej 130 mijë eurosh, të siguruar nga z. Iso Fazliji përmes USP Zürich (Universitetet Spital Zürich).

Ky inkubator modern do të përmirësojë ndjeshëm kushtet për kujdesin ndaj të porsalindurve, duke rritur cilësinë e shërbimeve shëndetësore dhe sigurinë e foshnjave që kanë nevojë për trajtim të specializuar.

Me këtë rast u shpreh mirënjohje për donatorët, veçanërisht për z. Iso Fazliji, i cili prej vitesh ka dhënë një kontribut të çmuar në sektorin e shëndetësisë. Përveç këtij donacioni, ai ka qenë iniciator dhe mbështetës i shumë donacioneve edhe për Spitalin Klinik të Tetovës, duke ndihmuar në përmirësimin e kushteve për pacientët.

Komuna e Tetovës vlerëson se donacione të tilla janë një shembull i solidaritetit dhe përgjegjësisë shoqërore, duke kontribuar drejtpërdrejt në forcimin e sistemit shëndetësor dhe në mbrojtjen e shëndetit të foshnjave. Mbështetja e iniciativave të tilla mbetet një prioritet në përpjekjet për një shoqëri më të shëndetshme dhe me më shumë kujdes për jetën.









