20/07/2024
21.5 C
Tetovo

Të tjera lajme

Ja sa do t’i kushtojë Mbretërisë së Bashkuar kurorëzimi i mbretit Charles III!

Prej disa muajsh ka nisur puna për ceremoninë madhështore të kurorëzimit të mbretit Charles III, që do të mbahet nesër, më 6 maj në Westminster. Edhe pse Mbreti Charles ka deklaruar se dëshiron të thjeshtojë kurorëzimin sa më shumë që të jetë e mundur, për të reduktuar shpenzimet mbretërore, shifrat janë marramendëse.

Ceremonia në Westminster, siguria për krerët e shteteve, dekorimet, koncerti. Lista është e pafundme dhe kostot të tepruara. Kjo ngjarje ka shikueshmëri botërore dhe përveç shpenzimeve, sjell edhe të ardhura të konsiderueshme për vendin.

“Këtë vit monarkia do të kushtojë 850 milionë paund të të ardhurave të PBB-së, që do të mungojnë në buxhet për shkak të festës, bank holiday, plus 100 milionë paund për të organizuar ceremoninë në Westminster Abbey dhe gjithë fundjavën e Kurorëzimit, si dhe buxhetin e Komitetit të Orbit të Artë që merret me festimet. Pra në total do të kushtojë 950 milion paund”, shpjegon CEO i Brand Finance, David Haigh për Raportin e ri Financiar të Windsor.

Me pak fjalë, kurorëzimi do të ndihet në aspektin ekonomik dhe kjo do të çojë në kritika nga ata që besojnë se monarkia është bërë shumë e shtrenjtë, veçanërisht në këto vite krize, faturash të shtrenjta dhe qirave të larta.

Megjithatë, duhet të merret parasysh ana tjetër e medaljes, që janë përfitimet nga ceremonia e kurorëzimit.

“Mbi gjysmë miliard paund , 665 milionë për të qenë të saktë, është ajo që kurorëzimi i mbretit Charles III më 6 maj do t’i sjellë ekonomisë së Britanisë së Madhe. Në vitet normale, kontributi i Ëindsors në monarki, është pak më shumë se 100 milion paund në vit, por si rezultat i ceremonive të kurorëzimit me një spot të madh promovues në Mbretërinë e Bashkuar, do të jetë shumë më tepër këtë vit”, shpjegon Haigh.

Fitimet do të kompensojnë humbjet për shkak të ditës së pushimit për fundjavën e gjatë të kurorëzimit dhe kostot e ceremonisë. Megjithatë problemet nuk mbarojnë me kaq. Siç thekson Haigh, çështja e shpenzimeve do të jetë vendimtare për mbretërimin e Charles III, i cili do të duhet ta çojë monarkinë drejt një menaxhimi financiar më modern.

© SYRI.net

Të fundit