Në Ministrinë e Drejtësisë u zhvillua sot ceremonia e dorëzim-pranimit të detyrës, ku ministri i ri, Jeton Shasivari, mori zyrtarisht funksionin nga paraardhësi i tij, Igor Fillkov .
Me rastin e marrjes së detyrës, Shasivari u zotua se do ta ushtrojë funksionin me përkushtim, përgjegjësi dhe transparencë, duke e vënë theksin te avancimi i sundimit të ligjit, forcimi i pavarësisë dhe efikasitetit të sistemit gjyqësor, rikthimi i besimit të qytetarëve në drejtësi, si dhe vazhdimi i reformave në përputhje me prioritetet strategjike të Qeverisë dhe procesin e integrimit evropian.
“Ministria e Drejtësisë do të mbetet një institucion i hapur dhe profesional, i përkushtuar ndaj interesave të qytetarëve, sundimit të ligjit dhe ndërtimit të një sistemi gjyqësor efikas, të drejtë dhe të qasshëm për të gjithë”, deklaroi ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari.
Shasivari u emërua në krye të Ministrisë së Drejtësisë në kuadër të rikonstruimit të Qeverisë, pasi Kuvendi miratoi ndryshimet në përbërjen e kabinetit qeveritar.








