29/02/2024
10.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

Kalkulimet e partive, të gjithë në lojë për formimin e Qeverisë?!

Partitë politike po zhvillojnë takime intensive joformale për të arritur marrëveshje për koalicionim për Qeverinë e re.

Takimet e partive po zhvillohen larg fokusit të mediave dhe se të gjitha partitë parlamentare janë pjesë e kalkulimeve dhe kombinatorikave se kush do ta formojë Qeverinë, përcjell INA.

LSDM me Zoran Zaev është në ofensivë për të siguruar numrat e nevojshëm prej 61 deputetëve dhe se kjo parti po negocion me BDI, e cila gjithashtu synon postin e kryeministrit. Zaevi po negocion edhe me ASH – AAA, por që vetëm me këtë koalicion nuk mund të sigurojë 61.

Nga ana tjetër, edhe VMRO-DPMNE nuk ka hequr dorë nga formimi i shumicës. Kjo parti ka zhvilluar takime me BDI, dhe se krerët e këtyre dy partive për më shumë se një orë kanë diskutuar për mundësinë e sigurimit të shumicës parlamentare, por që nuk jepen detaje se BDI cilat pozicione i ka shpalosur dhe se a vazhdon të mbajë kushtin e saj për kryeministër shqiptar. Nga kjo parti dolën “spine” se synohet rotacion për postin e kryeministrit, dy vite njëra parti e koalicionit, dy vite BDI.

Ndërkohë, lojtar i kalkulimeve për formimin e Qeverisë mbetet edhe ASH-AAA. Eksponentë të këtij koalicioni kanë thënë se do të jenë në Qeverinë me LSDM dhe se BDI duhet të shkojë në opozitë nëse nuk plotëson kushtin e premtuar për kryeministër shqiptar.

Afati për krijimin e shumicës po rrjedh dhe se presidenti deri më 14 gusht duhet ti jap mandatin asaj partie apo koalicioni që siguron shumicën në Kuvend, ndërsa pas kësaj, mandatari deri më 4 shtator duhet të formojë Qeverinë dhe prezantojë para deputetëve. Nëse mandatari nuk arrin të formojë dhe prezantojë Qeverinë deri në këtë afat, ai duhet ta kthejë mandatin tek presidenti. (INA)

Të fundit