Bashkimi Evropian ka nisur hetimet lidhur me realizimin e projektit të kanalizimit në fshatin Zajaz, njoftoi euroambasadori, Mihajlis Rokas.
I pyetur nga TV Koha, Rokas tha se dyshimet rriten për faktin se edhe kompania që është dashur të kryej punimet ka bankrotuar.
Euroambasadori njoftoi se është në komunikim të vazhdueshëm me kreun e Kërçovës dhe se kanë filluar hetimet dhe po mblidhen të gjitha dokumentacionet e nevojshme për këtë rast.
MIHALIS ROKAS – Ambasador i BE-së
Jo vetëm që ne i japim mjetet nga Bashkimi Europian për përfundim të projekteve. Por pasi përfundojnë projektet ne nga afër e ndjekim procesin e realizimit të këtij projekti. Kemi dyshime, nga ajo që di, punëkryerësi ka bankrotuar. Kuptohet ne si BE nga afër e ndjekim këtë projekt. Jam në kontakt të vazhdueshëm me kryetarin e Kërçovës dhe kam kërkuar që të mi dërgojë të gjithë dokumentet dhe elementet nga realizimi i këtij projekti.
Rokas tha se nëse konstatohen shkelje, Bashkimi Europian do të kërkojë kthimin mbrapsht të mjeteve financiare. Megjithatë, shpreson që punët të kryhen sepse siç tha ai, ky projekt është shumë i rëndësishëm për banorët e Kërçovës.
Nëse nuk është gjithçka ashtu siç duhet e kemi patjetër si BE të kërkojmë kthimin e mjeteve, megjithatë, shpresoj shumë që puna nuk do të vijë deri aty, sepse ky është një projekt shumë i rëndësishëm për Kërçovarët.
Ditë më parë, pikërisht nga Kërçova, euroambasadori Rokas paralajmëroi se ka indicie dhe dyshime për shkelje dhe mos kryerje të punimeve në kanalizimin e fshatit Zajaz, fshat pjesë e Komunës së Kërçovës. Ai deklaroi se në dokumentacionin e BE-së, kanalizimi është paraqitur si i përfunduar që në vitin 2024, por në terren, nuk ka kanalizim realisht./Tv Koha/








