Kryetari i Bilall Kasami ka reaguar ndaj nismës së Frontit Evropian për mbledhjen e nënshkrimeve për ndryshime kushtetuese, duke e cilësuar atë si një “ide madhore” që, sipas tij, do të harrohet shpejt dhe shërben vetëm për nevoja të brendshme politike të Bashkimi Demokratik për Integrim.
Në një deklaratë për media, Kasami vlerësoi se BDI-ja ka pasur mbi dy dekada në pushtet për të promovuar ndryshime kushtetuese dhe për të avancuar të drejtat kolektive të shqiptarëve, por sipas tij nuk ka arritur rezultate konkrete në këtë drejtim.
“BDI pati 20 vite për të promovuar ndryshime kushtetuese dhe për të avancuar të drejtat kolektive të shqiptarëve. Sot, kur BDI është para shpartallimit të saj përfundimtar, sepse veç më po e shohim dita e ditës se anëtarët e koalicionit të AKI-së po largohen nga ky subjekt politik, për të mbajtur edhe më tutje shpresën e anëtarëve të BDI-së, ajo po del me ide të mëdha”, tha mes tjerash Kasami.
Ai shtoi se iniciativa aktuale vjen në një moment kur, sipas tij, BDI po përballet me dobësim të brendshëm politik, duke pretenduar se subjekti është në prag të “shpartallimit” dhe se ka largime nga radhët e koalicionit të saj.
Deklarata vjen në kohën kur Fronti Evropian ka nisur përpjekjet për të siguruar nënshkrimet e deputetëve për inicimin e ndryshimeve kushtetuese, të cilat konsiderohen kyçe për zhbllokimin e procesit të integrimit evropian të vendit.







