Të tjera lajme

KGJK-ja sot shqyrton tërheqjet e dorëheqjeve të gjyqtarëve serbë

Sot do të mbahet mbledhja e radhës e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), në të cilën pritet të shqyrtohen disa çështje me rëndësi për funksionimin e sistemit gjyqësor në vend.

Njëra ndër pikat kryesore të rendit të ditës është shqyrtimi i kërkesës së ushtrueses së detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, si dhe i njoftimeve të dorëzuara nga gjyqtarët dhe stafi mbështetës nga komuniteti serb lidhur me tërheqjen e dorëheqjeve të tyre.

U.d. Presidentja Haxhiu, përmes një letre të dërguar më 19 qershor 2026 kryesuesit të KGJK-së, Rrustem Thaqi, kishte kërkuar që Këshilli të trajtojë këtë çështje dhe të marrë një vendim përfundimtar lidhur me statusin e dorëheqjeve të ofruara nga gjyqtarët dhe personeli administrativ i komunitetit serb, të cilët kishin braktisur institucionet e drejtësisë në veri të vendit.

Kërkesa vjen në një kohë kur një numër pjesëtarësh të komunitetit serb kanë shprehur gatishmërinë për t’u rikthyer në institucionet e Kosovës, duke njoftuar për tërheqjen e dorëheqjeve të mëhershme. Vendimi që do të marrë KGJK-ja pritet të ketë ndikim në funksionalizimin e plotë të sistemit gjyqësor, veçanërisht në komunat me shumicë serbe.

Përveç kësaj çështjeje, anëtarët e Këshillit do të shqyrtojnë edhe pika të tjera të parapara në rendin e ditës, ndërsa pritet të zhvillohet edhe procesi i zgjedhjes së zëvendëskryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Të fundit