Kjo është ajo që mbeti pas zjarrit që përfshiu fabrikën për prodhime qumështi në Kamjan të Tetovës. Zjarrfikësit mbrëmë kanë luftuar me zjarrin më shumë se 6 orë. Ndërkohë shuarja brenda ambienteve të fabrikës ka vazhduar edhe sot. Sipas udhëheqësit të Njësisë Kundër Zjarrit në Tetovë Avni Ameti, shkaqet nuk dihen ende. Megjithatë dyshimet e para janë se zjarri mund të jetë përhapur nga kullosat e ndezura rreth fabrikës.
“Brigada e Tetovës erdhi në vendngjarje, por më pas bëmë thirrje edhe brigadës së Shkupit, që të na dalin në ndihmë dhe po ashtu edhe firma private thirrëm me pompat. Kemi nga kjo ngjarje një zjarrfikës të lënduar lehtë, dhe kemi edhe të helmuar nga tymi pesë zjarrfikës, që u drejtuan pastaj në urgjencën e Tetovës. Kjo që shihni pas neve, shuarja bëhet sepse brenda fabrikës ka një lëndë djegëse që kërkon më shumë kohë për tu shuar. Andaj pronari ka sjell një ekskavator për të heq teneqet për ta shuar zjarrin me ekskavator sepse ka një lëndë djegëse brenda fabrikës e cila nuk shuhet me ujë”, deklaroi Avni Ameti shef i NJTKZ Tetovë.
Në rajonin e Pollogut brenda vetëm disa muajve katër fabrika janë përfshirë nga zjarri. Njësia Territoriale kundër zjarrit, ka apeluar Qendrën për Mbrojtje dhe Shpëtim që të bëhen kontrolle nëpër fabrika për plotësimin e kushteve për masat kundër zjarrit, me qëllim që në raste të këtilla, të mund të shpëtohet sa më shumë që është e mundur nga mbetja e objektit.