28/05/2024
11.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Komuna e Bogovinës me më së shumti 24 të sëmurë nga virusi korona në rajonin e Tetovës

Komuna e Bogovinës tani ka më së shumti, 24, të sëmurë me Kovid-19 (prej të cilëve një i vdekur) në rajonin e Tetovës, bëri të ditur Shtabi i Krizës së Komunës së Tetovës pas mbledhjes së sotme të tetë. Tetova ka 21 me dy të vdekur, komuna e Tearcës dhe komuna e Bërvenicës 4 (një i vdekur), komuna e Jegunovcit 4 dhe komuna e Zhelinës dy.

Kryetarja e Tetovës Teuta Arifi në takim me gazetarët pasi përfundoi mbledhja e tetë e Shtabit të Krizës i sqaroi masat e reja të cilat me kërkesë të tyre do të zbatohen në rajonin e Tetovës. Ajo sqaroi se maskat nuk do të jenë të obligueshme për përdorim në vende të hapura, por vetëm në hapësira të mbyllura.

“Kërkuam nga Qeveria të precizojë se maskat duhet të barten vetëm në hapësira të mbyllura si markete, banka dhe institucione. Kjo nevojitet sipas përvojave nga qytetet tjera sepse hapësirat e mbyllura janë më të rrezikshme. Masa ka rëndim buxhetor dhe për këtë nevojitet që të ketë vetëm për hapësira të mbyllura”, tha Arifi.

Nga ana tjetër transporti i udhëtarëve nuk do të lejohet, ndërsa punëdhënësit duhet të gjejnë zgjidhje adekuate për të punësuarit.

“Numri më i madh i të sëmurëve me virusin korona janë rezultat i komunikimit dhe mosmbajtjes së distancës sociale Masa që të mos ketë transport të organizuar të udhëtarëve është në drejtim të uljes së mundësisë për përhapjen e virusit duke pasur parasysh se në autobusë dhe furgonë ka hapësirë të ngushtë për shumë persona. Nga policia sot iu është thënë operatorëve se kjo masë do të realizohet strikt. Policia, spitali dhe institucionet tjera e kanë zgjidhur këtë çështje, ndërsa kemi informacione se tashmë transport të tyrin kanë edhe kompanitë më të mëdha për punëtorët e tyre”, tha Arifi.

Sipas Arifit, është me rëndësi që në periudhën e ardhshme të ketë orë më të vogël policore që të shmangen rrëmujat para marketeve dhe institucioneve.

“Shtabi i Krizës gjithashtu kërkoi nga Qeveria që ora policore në fillim të muajit të shenjtë të Ramazanit të fillojë prej orës 19, me qëllim që qytetarët të kenë më shumë kohë që t’i realizojnë obligimet e tyre ditore, me çka do të shmangen tubimet dhe radhët para marketeve dhe shitoreve”, tha kryetarja.

Përfaqësues të SPB Tetovë kanë informuar se në izolim me vendim të Inspektoratit Shtetëror Sanitar Shëndetësor në komunën e Tetovës ka gjithsej 204 persona, përderisa në karantinë shtetërore në Kodrën e Diellit ka 62 persona. fc/

Të fundit