20/04/2024
10.4 C
Tetovo

Të tjera lajme

Komuna e Tetovës sërish ka ndarë 32 mijë euro për pastrimin e lumenjve dhe deponinë në Lagjen e romëve (VIDEO)

Nga hulumtimi i Portalb-it tre muaj më herët, rezultoi se kontrata e fundit e Komunës së Tetovës prej 32 mijë eurove për pastrimin e shtratit të lumit “Shkumbin” nuk ishte realizuar plotësisht në terren sepse deponia përreth lumit “Shkumbin” te lagja e romëve nuk ishte prekur fare. Tani nga Komuna e Tetovës kanë nënshkruar edhe një kontratë me vlerën e njëjtë financiare dhe kësaj radhe premtojnë pastrimin e kësaj deponie, shkruan Portalb.mk.

Disa ditë më herët, Komuna e Tetovës ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Euro Invest-ing” me seli në Tetovë për pastrimin e shtretërve të lumenjve në Tetovë me rrethinë, edhe atë lumit “Shkumbin”, lumit në Reçicë të Madhe dhe të Vogël dhe lumit në Poroj.

Kontrata kap vlerën prej 32.000 eurove.


Kontrata e nënshkruar mes Komunës së Tetovës dhe Euro invest-ing.
Nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk kësaj herë premtojnë pastrimin e tërësishëm të deponisë te Lagjja e romëve.

Kjo deponi ndodhet 800 metra në vijë ajrore nga Komuna e Tetovës, në këtë lagje ka dhjetëra banorë që janë të rrezikuar nga sëmundjet e ndryshme që mund t’ju vijnë si pasojë e kësaj deponie.

“Po, punimet do të fillojnë sa të kemi kushte për punë. Dinamika e punëve që duhet të realizohet me atë kontratë, përfshihet pikërisht edhe ai lokacion” thanë nga Komuna e Tetovës.

Të premten e vizituam këtë deponi e cila ishte në gjendje alarmante

https://www.facebook.com/watch/?v=265324681980674

Njoftojmë se gazetari i Portalb-it ishte dëshmitar se këto mbeturina hidheshin nga vetë banorët përreth saj, të njëjtit nga dritare hidhnin qese me mbeturina në lum dhe përreth lumit.

32 mijë euro në dhjetor u harxhuan, kjo pjesë nuk u pastrua

Në fund të muajit dhjetor Komuna e Tetovës ka pagoi 32 mijë euro për pastrimin e shtratit të lumit “Shkumbin”. Edhe pse nga Komuna e Tetovës thanë se ka përfunduar pastrimi i këtij të fundit në pjesën e Tetovës, hulumtimi i Portalbit dhe banorëve të lagjes përreth, dëshmoi të kundërtën.

Megjithatë, edhe pse ky vend vazhdimisht ndotet nga banorët përreth kësaj lagje, nga komuna e Tetovës dhe nga Inspektorati Ekologjik ende nuk kanë dalë me një strategji për këtë problematikë, pasi që edhe vet autoritetet komunale konfirmojnë se aty digjen mbeturina, që është në kundërshtim me ligjet në vend.

Disa muaj më herët nga komuna e Tetovës kishin nënshkruar kontratë prej 2 milion denarëve me një firmë nga fshati Poroj, për pastrimin e shtratit të lumit Shkumbin dhe lumenjve në Reçicë të Madhe dhe të Reçicë të Vogël si dhe lumit në Poroj.

Portalb.mk vazhdimisht ka informuar për këtë deponi, për shkak të asaj që shpesh here ekspertët e kësaj fushe kanë deklaruar se deponitë e tilla janë rrezik real për përhapjen e epidemive të ndryshme, asnjë institucion qoftë lokal apo qendror nuk ka ndërmarrë masa për zgjidhjen e kësaj problematike, të paktën jo në qytetin e Tetovës.

Inspektorati ekologjik i padobishëm

Portalb.mk me vite ka shkruar për fenomenin e mosgjetjes së autorëve të djegjes së mbeturinave në Tetovë, dhe krijimit të deponive si kjo e fundit, numri i personave të cilët e kanë për detyrë t’i gjejnë dhe sanksionojnë këta persona është 4, shifër kjo që është jashtëzakonisht e vogël për një qytet me rreth 70,000 banorë.

Disa nga rastet për të cilat autorët ngelën të pazbuluar, si pasojë e paaftësisë të inspektoratit ekologjik janë djegia e deponisë së Tetovës, djegia e mbeturinave te lagjet “Bllok 70” dhe “Dardania” , djegia e mbeturinave në “Lagjen e romëve”, si dhe shumë tjera të cilat qytetarët vazhdimisht i denoncojnë në “E-report” për arsye se numri i vendosur në webfaqen e Komunës (0800-55-043) për denoncimin e këtyre rasteve, është jofunksional.

Ndryshe, edhe pse deklaratavisht kompetentët vazhdimisht kanë fajësuar qytetarët për krijimin e deponive të tilla, ata asnjëherë nuk kanë ndërmarrë ndonjë masë sanksionuese apo parandaluese në mënyrë që raste të tilla të mos ndodhin më. Madje, për një vit të tërë, Inspektorati Ekologjik i Tetovës ka shqiptuar vetëm 15 dënime.

Të fundit