Kryeministri dhe lider i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski nga Dojrani konfirmoi se gjatë ditës së djeshme ka pasur takime me kryetarët e katër partive politike, pjesë e koalicionit qeveritar, përfshirë Ali Ahmetin, kreun e BDI-së, ku tema ishte data për zgjedhjet në vitin 2024.
“Në ato takime kemi diskutuar për të gjitha çështjet aktuale në vend, duke përfshirë edhe zgjedhjet, natyrisht. Atë që mund të them për përgatitjen e zgjedhjeve, në pjesën e kodit zgjedhor. Në fushën e mbajtjes së tyre, tashmë ka një grup pune në Ministrinë e Drejtësisë, ku të gjitha partitë politike kanë deleguar përfaqësuesit e tyre. Siç është sipas Ligjit dhe procedurës. Vetëm VMRO-DPMNE-ja nuk e ka deleguar përfaqësuesin e saj. Prandaj i inkurajoj që të delegojnë përfaqësuesin e tyre, sepse një apo dy parti nuk mund të vendosin në një proces në të cilin kanë marrë pjesë 30-të e më shumë parti politike”, thotë Kovaçevski.
Kovaçevski theksoi se grupi punues përfundimisht duhet të harmonizojë rekomandimet e OSBE-së dhe ODIHR-it në ligj dhe ku mund të diskutohet për datën e saktë të mbajtjes së zgjedhjeve në vitin 2024.
“Zgjedhjet shpallen sipas ligjit dhe sipas Kushtetutës dhe sipas mandatit të funksionarëve të zgjedhur, këtu e kam fjalën në radhë të parë për Presidentin e Shtetit dhe deputetët dhe normalisht brenda afateve ligjore mund të diskutohet për finesën, në lidhje me kohën. Gjithçka tjetër është mbajtja e takimeve, të cilat janë jashtë formatit, ku secili duhet të japë fjalën dhe mendimin e tij, mendoj se është jashtë institucionale”, tha Kovaçevski.
Ai vuri në dukje se çështja e datës së zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në vitin 2024 po zgjidhet me bisedime, dhe jo si në të kaluarën kur kryetari i Qeverisë nga Aeroporti ta tregojë datën e zgjedhjeve. Kovaçevski theksoi se pas vitit 2017 ato praktika janë tejkaluar dhe është ndërtuar një shoqëri demokratike në të cilën të gjitha proceset zhvillohen në institucione dhe janë në përputhje me ligjet.