22/06/2024
21.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Kujdes me reformat kuturu në arsim!

Sihariq! Ministria e Arsimit të Maqedonisë së Veriut ka vendosur të digjitalizojë tekstet shkollore. Kjo ka shkaktuar reagimet e arsimtarëve, që shtrojnë me të drejtë pyetjen nëse vendi është i përgatitur për sprova të këtilla, që mund të dështojnë si projekti megaloman kompjuter për çdo nxënës, i cili u avullua si shurrë pule, ende pa zënë vend monitorët (se për monitorë qe nijeti…) mbi bankat shkollore. I tillë qe dhe projekti i mijëra veprave shkencore të përkthyera gati njëpërnjë me google translate, për t’mos i hyrë kujt në punë dhe për t’u kalbur plehërishteve pa shqetësuar asnjeri, sepse në vendin e çudirave nuk kris kiameti për miliona eurot e bëra rrush e kumbulla për “të mirën” e përgjithshme.

Punonjësit e arsimit janë dëshmitarë të dështimit edhe të një sërë projektesh të ngutshme për reformimin e sistemit arsimor në vend, të nisur në vitin 1996. Asokohe u formuan me shumë entuziazëm ekipe arsimtarësh të zgjedhur të shkollave fillore dhe të mesme, të cilët u trajnuan brenda dhe jashtë vendit për të nisur procesin e vështirë por të domosdoshëm të reformimit sipas modeleve të disa shteteve evropiane me sisteme të përparuara arsimore, në sajë të bërjes së arsimit prej kohësh prioritet mbi prioritetet.

Trajnimet nisën me ekspertë të huaj dhe në to, përveç Maqedonisë, u përfshi dhe Shqipëria (pas çlirimit edhe Kosova), kurse shtetet si Sllovenia apo Ukraina kishin nisur pak më herët me reformat në arsim dhe për 2-3 vite bënë hapat që Maqedonia e Veriut s’ka arritur t’i bëjë as pas një çerek shekulli.

Kjo, sepse këtu as ka qenë as është prioritet çështja e arsimit që lidhet drejtpërdrejtë me të ardhmen e vendit, pavarësisht të dhënës se nga gjysma e dytë e viteve të 90-ta e këndej janë mbajtur trajnime pa fund të arsimtarëve (veçmas të atyre të shkollave fillore), të mbështetura me financat e shteteve perëndimore.

Po të ishte ndryshe, nuk do të lejohej humbja e kohës së pakthyeshme në projektet e braktisura në momentin e tretjes së parave të dhuruara për reforma thelbësore: për përmirësimin e infrastrukturës shkollore, për kërkimin e modeleve bashkëkohore të mësimdhënies, për aftësimin e arsimtarëve me kompetencë profesionale e pedagogjike, për përgatitjen e nxënësve për jetën dinamike të epokës digjitale…, jo për reforma kuturu.

Po të ishte ndryshe, do të kishim kudo dhe për të gjithë njësoj shkolla të depolitizuara dhe me infrastrukturë moderne, ku nxënësit kanë kushte për të mësuar nga librat digjitalë; do të kishim tekste shkollore që promovojnë gjuhën e mirëkuptimit, jo atë të urrejtjes ndëretnike; programe mësimore të përgatitura nga ekipe profesionistësh, mundi i të cilëve nuk do të fyhej e shpërblehej me vitre; do të kishim më shumë shkolla profesionale me mësim në gjuhën shqipe; shkolla ku nxënësit shqiptarë nuk detyrohen të mësojnë në gjuhën e tjetrit; shkolla ku arsimtarët nuk shndërrohen në punonjës administrate, që më shumë energji harxhojnë për evidencën gjigjitale pedagogjike sesa për përgatitjen profesionale.

Po të ishte ndryshe, vendimeve për reforma në arsim do t’u printe buxheti i garantuar shtetëror, i mbrojtur nga shpërdorimet gangrenore; studimi i mirëfilltë i gjendjes aktuale të arsimit vendor para zgjedhjes së kujdesshme të modelit më të përshtatshëm, që do të jepte rezultate në rrethanat tona; paisja e shkollave me biblioteka, me laboratore, me kabinete teknologjike, me mjete bashkëkohore pune…

Shi për këtë, do të bëjë mirë ministrja nëse e rishoshit më esëll vendimin për tekstet shkollore digjitale, të mbështetur në praktikat e vendeve më të zhvilluara. Në mos e pastë të qartë të dhënën se Maqedonia e Veriut garon në ligë tjetër shtetesh, atëherë le ta dëgjojë brengën e mësuesve që i shohin si të parakohshëm librat digjitalë për një numër të konsiderueshëm nxënësish që ndjekin mësimin nëpër shkolla me infrastrukturë shkumësash e dërrasash të zeza.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Të fundit