11/10/2024
16.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Kuvendi të mërkurën do të votojë për anëtarin e KSHZ-së dhe për Ligjin për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese, në lexim të tretë

Kuvendi të mërkurën në suaza të seancës së 145-të pritet të zgjedhë anëtar të ri të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ). Sipas informacioneve të MIA-s, propozimi që Abdush Demiri të jetë anëtari i shtatë i organit më të lartë zgjedhor në vend mund të marrë mbështetje nga më shumë se 80 deputetë, edhe pse për  votimin e tij nevojitet shumicë prej dy të tretave.

Burimet partiake për MIA-n thonë se pritet për Demirin të mos votojnë deputetët e BDI-së dhe nga krahu i Zijadin Selës nga Aleanca për Shqiptarët, ndërsa LSDM, VMRO-DPMNE dhe koalicionet e tyre si dhe opozita shqiptare do ta mbështesin.

Pas mosmarrëveshjeve disa muajshe për atë se cila parti shqipare të ketë anëtarin e saj në KSHZ, Demiri mbeti kandidati i vetëm pasi Zulfi Adili nga ASH u tërhoq sepse u emërua drejtor në Agjencinë për Investime të Huaja.

Abdush Demiri vjen nga Besa dhe është propozim i mbështetur nga partitë e opozitës shqiptare. Nëse votohet, në më pak se tre muaj do të kompletohet përblrja e KSHZ-së. Komisioni më shumë se një vit është pa një anëtar sepse Krenar Lloga u bë ministër i Drejtësisë.

Në rend dite të seancës së 145-të që është caktuar për të mërkurën 28 shkurt në orën 11, është gjithashtu ligji për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për lojërat e fatit dhe për lojërat argëtuese – në lexim të tretë. Ligji është rikthyer në rend dite, pasi presidenti Stevo Pendarovski nuk e nënshkroi dekretin për të. Për miratimin e këtij ligji, shumicës parlamentare i nevojiten 61 vota.

Tani për tani, ndër të tjera, në rend dite të kësaj seance është edhe Propozimi për vendim për të miratuar vazhdimin e afatit për ekzistimin e gjendjes së krizës në një pjesë të territorit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, për shkak të parandalimit të kërcënimeve të sigurisë dhe forcimin e sigurisë së INP Idrizovë.

Të fundit