24/10/2024
17.2 C
Tetovo

Të tjera lajme

Lashkoska: Bashkëpunimi ndërkufitar në menaxhimin e ujërave është gurthemeli për përshtatjen ndaj klimës në vendin tonë.

Zëvendësministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Ane Lashkoska, mori pjesë në sesionin e 10-të të Takimit të Palëve të Konventës për Ujin të Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Evropën (UNECE), që u mbajt këto ditë në Lubjanë, Slloveni.

Ngjarja përfaqëson një mundësi për vendin tonë që të paraqesë prioritetet dhe të kontribuojë në formësimin e drejtimit strategjik të punës së ardhshme të Konventës.

Lashkoska mbajti një fjalim në kuadër të Sesionit: Ujërat tona – e ardhmja jonë, ku shpalosi përvojat nga menaxhimi ndërkufitar i ujërave në funksion të ndryshimeve klimatike.

Sipas saj, bashkëpunimi ndërkufitar në menaxhimin e ujërave përfaqëson gurthemelin për përshtatjen ndaj klimës në vendin tonë, duke marrë parasysh burimet e përbashkëta ujore që janë të bollshme në rajon.

– Përfitimet e bashkëpunimit ndërkufitar janë të qarta: duke punuar së bashku, ne jemi më të aftë të analizojmë dhe menaxhojmë rreziqet e përbashkëta klimatike, të reduktojmë pasiguritë përmes shkëmbimit të të dhënave kritike dhe të zhvillojmë strategji të koordinuara që përfitojnë të gjitha shtetet në pellg – theksoi Laskoska.

Si shembull të shkëlqyer të bashkëpunimit të suksesshëm ndërkombëtar dhe dialogut rajonal, ajo përmendi bashkëpunimin rreth pellgut të Drinit, i cili lidh Maqedoninë e Veriut me Shqipërinë, Greqinë, Kosovën dhe Malin e Zi.- Procesi i Drinit ka përmirësuar ndjeshëm kapacitetet institucionale dhe bashkëpunimin ndërkufitar përmes krijimit të organeve të përbashkëta për menaxhimin ndërkufitar, shkëmbimin e të dhënave dhe zhvillimin e një plani strategjik veprimi që përfshin masa për qëndrueshmëri klimatike – tha Laskoska gjatë fjalimit të saj.Ajo shtoi se dialogët e tillë janë kyç për identifikimin e zgjidhjeve dhe mundësive për bashkëpunim, dhe duke u përqendruar në sfidat e përbashkëta, mund të përfitohen avantazhet e bashkëpunimit, nga rritja e përshpejtuar ekonomike dhe përmirësimi i mirëqenies së njeriut, deri te qëndrueshmëria ekologjike dhe stabiliteti politik i rritur.Sesioni i dhjetë i Takimit të Palëve konsiderohet një pikë kthese kyçe për Konventën për Ujin, si dhe në rishikimin e kontributit të saj për zgjidhjen e krizës trefishe planetare.

Ngjarja përfshin një segment të nivelit të lartë, një segment të përgjithshëm dhe ngjarje anësore, ku diskutohen tema të lidhura si përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike, menaxhimi nga burimi në det, bashkëpunimi ndërsektorial dhe financimi i bashkëpunimit në ujë. Pritet që Palët e Konventës për Ujin të miratojnë një program të ri pune inovative për periudhën 2025-2027, që ndihmon në zgjidhjen e krizës trefishe planetare, si dhe të marrin vendime të tjera, përfshirë vendime për zhvillimin e një mekanizmi më të qëndrueshëm dhe më të parashikueshëm për financimin e Konventës.

Ngjarja është organizuar nga Qeveria e Sllovenisë dhe Sekretariati i Konventës për mbrojtjen dhe shfrytëzimin e rrjedhave ujore ndërkufitare dhe liqeneve ndërkombëtare (Konventa për Ujin), nikoqire e së cilës është UNECE.

Të fundit