23/04/2024
6.6 C
Tetovo

Të tjera lajme

Lëvizja Demokratike: BDI me premtime boshe e la në harresë “Kodrën e Diellit”

Lëvizja Demokratike kritikon ashpër për mungesë të investimeve kapitale në qendrën turistike Kodra e Diellit. Fatih Huseini nga LD-ja thotë se kjo qendër po keq menaxhohet nga kuadër i BDI-së.

“Në sajë të fillimit të sezonit turistik dimërorë në qendrën turistike Kodra e Diellit, edhe këtë vit si shumë vite e dekada me radhë jemi dëshmitarë të mungesës së investimeve kapitale si një nevojë imediate e kohës për këtë qendër, krahas mungesës së investimeve dhe mashtrimit klasik tipik për qeverinë e me theks të veçantë për partinë shqiptare në pushtet BDI, kuadro i së cilës menaxhon apo thënë më mirë keqmenaxhon me këtë qendër turistike. Jo më larg se vitin e kaluar qeveria e RMV gjegjësisht drejtori i “Elem Turs” patën paralajmëruar me pompozitet investimin e më shumë se 186 milion euro për modernizimin dhe zhvillimin e qendrës turistike Kodra e Diellit nga investitorë të ndryshëm ndërkombëtarë e në rastin konkret ai Italian me emrin “TeknoAlpin”, që parashihte investim të paraparë për tu realizuar në gjashtë faza, ku vetëm në fazën e parë planifikohej mbi 55 milion euro dhe si rrjedhojë e këtij investimi do të duhej të kishim shtigje të reja të skijimit, ski ashensor dhe teleferik të rinj, do të rinovohej hotel “Slavija”, e do të ndërtoheshin madje edhe hotele të reja, mbi 600 vende të reja për parking, do të rregulloheshin qasjet e rrugëve nga Kodra e Diellit deri në shtigjet e skijimit, e ku në fazën e parë ishte planifikuar edhe në investimin e sistemit për borë artificiale e gjithë kjo me fillim të punimeve në vitin 2023”, deklaroi Fatih Huseini, LD.

“Të nderuar qytetarë, na ndajnë vetëm edhe disa ditë nga viti 2024 e ndërsa sa i takon investimeve dhe shpresës së më në fund kjo qendër do t’a merr trajtimin dhe kujdesin institucional të merituar, marrë parasysh rëndësinë dhe potencialin që e njëjta e ka në zhvillimin ekonomik lokal po ashtu edhe atë në nivel të shtetit, për faktin që në çdo sezon dimëror këtë qendër turistike e vizitojnë mijëra qytetarë vendas dhe të huaj, e për fat të keq punimet ende nuk shihen askund në horizont!”, tha Huseini sipas të cilit kjo nuk është hera e parë që projekte të tilla fillojnë por ngelin pa epilog.

“Kjo nuk është hera e parë që projekte të tilla fillojnë por ngelin pa epilog, ngase emëruesi i përbashkët i të gjitha dështimeve të investimeve kapitale ne qytetin e Tetovës dhe pollogun në përgjithësi por edhe në këtë qendër turistike në veçanti ka vetëm një shkaktarë, e ajo është BDI, andaj konsiderojmë se një ditë e më parë, që kjo strukturë kriminogjene të largohet nga pushteti do të largohet edhe pengesa e fundit për revitalizim dhe funksionalizim te kësaj qendre turistike, por edhe të të gjitha sferave të jetës shoqërore në përgjithësi!”, deklaroi Fatih Huseini, LD.

Të fundit