28/10/2024
15.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

Limani: Le t’u përafrohemi qytetarëve tanë duke zhvilluar më shumë shërbime sociale sipas nevojave të tyre dhe të gjithë familjes

Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, me rastin e përkujtimit të Ditës Ndërkombëtare të Kujdesit dhe Mbështetjes, mori pjesë në një tryezë të rrumbullakët dhe në prezantimin e Rekomandimeve të politikave në lidhje me vendosjen e një qasjeje familjare gjatë hartimit dhe zbatimit të shërbimeve të kujdesit dhe trajtimit.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, Limani shprehu pritjen se nga këto rekomandime do të dalin gjetje të vlefshme dhe thelbësore që do të ofrojnë hartëzimin dhe identifikimin e hapave të ardhshëm të nevojshëm në krijimin e politikave të përshtatshme për nevojat e qytetarëve.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Ministria përkatëse e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë dhe të gjitha palët e tjera të përfshira ndajnë mendimin se është e nevojshme të afrohemi më shumë me qytetarët tanë duke zhvilluar më shumë shërbime sipas nevojave të tyre dhe nevojave të gjithë familjes  për një jetë më të përshtatshme dhe cilësore. Politikat tona duhet t’i orientojmë drejt përmirësimit të sistemeve ekzistuese dhe ballafaqimit me sfidat që janë para nesh”, theksoi Limani.

Ai vuri në dukje faktin se kompensimet në të holla ende janë mënyra më e preferuar për të mbuluar nevojat e përfituesve të kujdesit, duke shkaktuar kështu presion mbi buxhetin e shtetit, si dhe se duhet të fokusohemi në zhvillimin dhe zgjerimin e shërbimeve në nivel lokal, më afër përfituesve. E gjithë kjo, duke marrë parasysh pamjen demografike në vend, plakjen e popullsisë dhe nevojën në rritje për të ofruar shërbime për të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe kategori të tjera.

Programi i OKB-së për Zhvillim, në partneritet me Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, prej disa vitesh po e zbaton programin “Ekonomia e Kujdesit”.

“Është me rëndësi të madhe zbatimi i një programi të tillë, i cili njëkohësisht aktivizon kategoritë e qytetarëve të vështirë për t’u punësuar, në radhë të parë femrat, në tregun e punës dhe, nga ana tjetër, mundëson edhe ofrimin e shërbimeve sociale nga kujdestarët për më të cenuarit. Me këtë, praktikisht realizohen angazhimet nga Konventa e OKB-së për të Drejtat e Njeriut”, theksoi zv/përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së, Ana Çernishova.

Violeta Stojanoviq nga Agjencia për Punësim e Republikës së Maqedonisë së Veriut iu referua Programit “Ekonomia e Kujdesit”, qëllimi i të cilit është që personat e papunë të fitojnë njohuri, shkathtësi dhe kompetenca për ofrimin e shërbimeve të kujdesit në komunitet. Gjatë kësaj, ajo i veçoi dy masat aktive për punësim: Punën e dobishme komunale dhe Trajnimin dhe punësimin e personave për ofrimin e shërbimeve të përkujdesjes në shtëpi dhe në komunitet. Masat zbatohen në bashkëpunim me UNDP-në dhe Njësitë e vetëqeverisjes lokale.

Të fundit