Nganjëherë nga padija, nganjëherë nga heshtja jonë. Nga lodhja jonë për të kërkuar, nga një lloj fati që e kemi trashëguar si mallkim: – të mos e dimë veten.
Sot moderova një takim që s’ishte veç një ngjarje – ishte një kthim. Një hapje e kujtesës sonë të thellë, të heshtur. Në një mëngjes që dukej i zakonshëm, folëm për historinë me albanologun Mark Palnikaj – por jo për atë histori që na e kanë treguar gjithnjë të tjerët. Folëm për atë që kishte mbetur në qoshet e errëta të arkivave, në pergamenat e Vatikanit, në letrat e Skënderbeut që nuk i lexuam kurrë me zë të lartë.
Marku solli fakte, por ato nuk ishin veç data dhe emra – ishin dëshmi që shqipja kishte folur për pesë shekuj pa u ndalur. Kishte rrjedhur në gojën e meshtarëve, ishte shkruar në raportet e misionarëve, ishte mësuar fshehurazi, si një lutje për të mos na humbur. Dhe ne, në vend që ta festonim, e kishim harruar. Jo nga ligësia, ndoshta nga lodhja. Nga një heshtje që na ishte bërë zakon.
Ishim lodhur të kërkonim veten, siç lodhet një i verbër që prek fytyrën e të dashurit përmes kujtimit. Shqipja na pati pritur. Kishte folur për ne kur ne kishim heshtur për të. Kishte jetuar në heshtje, me dinjitetin e atyre që nuk harrojnë, edhe kur harrohen.
Dhe ajo ditë, ky takim, ishte një thirrje. Si një zë që vinte nga pluhuri i kohës, që na zgjoi dhe na tha: “Mos më lini më vetëm.”
Dhe ne folëm!







