Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, ka njoftuar qytetarët lidhur me situatën e fundit me cilësinë e ujit të pijshëm dhe masat e ndërmarra nga institucionet kompetente.
Limani ka bërë të ditur se, sipas analizave të rregullta të kryera nga NP “Komunalec”, mostrat e analizuara deri më tani kanë treguar se parametrat e ujit kanë qenë brenda vlerave të lejuara me ligj. Megjithatë, pas denoncimeve të pranuara, Prokuroria Publike, policia dhe institucionet përkatëse kanë kryer kontrolle shtesë dhe kanë marrë mostra të reja për analiza laboratorike.
Me rekomandim të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, deri në publikimin e rezultateve zyrtare është vendosur ndalim i përkohshëm i përdorimit të ujit për pije dhe për përgatitjen e ushqimit.
“Apeloj që kjo masë të respektohet plotësisht. Ajo është parandaluese dhe është vendosur për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve”, ka deklaruar Limani.
Kryetari i Gostivarit ka komentuar edhe pretendimet për një përzierje të mundshme të ujërave të zeza me ujin e pijshëm, duke theksuar se sipas informacioneve nga NP “Komunalec”, në lokacionin e përmendur nuk ekziston rrjet kanalizimi. Megjithatë, ai ka theksuar se të gjitha pretendimet do të verifikohen nga institucionet kompetente.
Sipas Limanit, deri tani nuk ka dëshmi zyrtare mjekësore apo laboratorike që shqetësimet e raportuara në lukth janë shkaktuar nga uji i ujësjellësit të qytetit.
“Shkaku duhet të përcaktohet në mënyrë profesionale dhe mbi bazën e analizave përkatëse”, ka theksuar kryetari i Komunës së Gostivarit.
Ai ka bërë të ditur se Komuna është në kontakt të vazhdueshëm me institucionet kompetente dhe se rezultatet zyrtare do të publikohen për opinionin sapo të jenë në dispozicion.
Në fund, Limani ka apeluar qytetarët të qëndrojnë të qetë, të respektojnë masën e përkohshme dhe të informohen vetëm përmes burimeve zyrtare, duke theksuar se shëndeti i qytetarëve mbetet prioriteti kryesor.








