Të tjera lajme

Mali Sharr është kapital strategjik ujor, por menaxhimi mbetet sfida kryesore, tregon analiza e IDSCS-së

Sipas analizës, ujërat sipërfaqësore dhe nëntokësore të Malit Sharr janë baza e furnizimit me ujë për Tetovën dhe Gostivarin, kontribuojnë në mbushjen e burimit Rashçe, prej nga furnizohet me ujë të pijshëm pjesa më e madhe e Shkupit, si dhe sigurojnë ujë për funksionimin e sistemit hidroenergjetik të Mavrovës.

Megjithatë, autorët theksojnë se problemet e vazhdueshme me furnizimin me ujë në Tetovë dhe ndotja e fundit e sistemit të ujësjellësit në Gostivar dëshmojnë se burimet natyrore, sado të pasura të jenë, nuk mjaftojnë për të garantuar ujë të sigurt për konsum.

Në analizë thuhet se siguria ujore nuk varet vetëm nga sasia e ujit në dispozicion, por nga mënyra se si menaxhohet i gjithë sistemi ujor. Për këtë arsye, Mali Sharr cilësohet si një infrastrukturë natyrore strategjike, nga e cila varen furnizimi me ujë, siguria energjetike, shëndeti publik dhe aftësia e vendit për t’u përballur me ndryshimet klimatike.

IDSCS vlerëson se nevojiten investime në infrastrukturë të besueshme, monitorim të vazhdueshëm të cilësisë së ujit, mbrojtje të burimeve dhe zonave mbrojtëse ujore, si dhe një menaxhim më efikas institucional. Analiza rekomandon që menaxhimi i ardhshëm i burimeve ujore të bazohet në një qasje të integruar, në përputhje me Direktivën Kuadër për Ujërat të Bashkimit Evropian, e cila e organizon menaxhimin sipas pellgjeve lumore dhe kërkon koordinim ndërmjet të gjithë përdoruesve të burimeve ujore.

Sipas institutit, në shekullin XXI uji nuk mund të trajtohet më vetëm si burim për zhvillim ekonomik ose prodhim energjie. Ai përfaqëson një të drejtë themelore të njeriut, infrastrukturë kritike, garanci për shëndetin publik, kapital natyror dhe një nga burimet kryesore për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike.

Analiza përfundon se sfida kryesore nuk është nëse Mali Sharr ka ujë të mjaftueshëm, por nëse institucionet do të arrijnë ta menaxhojnë këtë kapital ujor në mënyrë të qëndrueshme dhe ta ruajnë atë për brezat e ardhshëm.

Kujtojmë se Gostivari prej disa ditësh po përballet me një nga incidentet më të rënda të ndotjes së ujit të pijshëm në vend. Mbi 3.150 persona kërkuan ndihmë mjekësore me simptoma të gastroenteritit, ndërsa më 19 korrik u shpall epidemi. Hetimet e Prokurorisë tregojnë se për rreth 22 ditë në rrjetin e ujësjellësit ishte futur ujë i ndotur me fekale përmes pompave të vendosura pranë sistemit të furnizimit me ujë, çka çoi në ndotjen e ujit të pijshëm. Për rastin janë nën hetim drejtoresha e NP “Komunalec” dhe dy drejtues të tjerë të ndërmarrjes, të dyshuar për vepra të rënda kundër mjedisit dhe natyrës.transmeton Portalb.mk

Të fundit