20/06/2024
29.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Maqedoni: Kriza varfëroi më të varfrit

Parashikimet e Bankës Botërore paralajmërojnë se 55 mijë deri në 130 mijë banorë në Maqedoni për shkak të krizës së shkaktuar nga pandemi e Kodid 19 mund të zhyten në varfëri. Por ajo që ka ndodhur gjatë këtyre muajve në vend është se varfëria ekstreme, ose pamundësia për të përmbushur nevojat themelore të jetesës, po bie kurse varfëria relative po rritet për shkak të krizës, e cila është një lloj mungesë burimesh në familje. Sipas analizave të kryera në “Finance Think”, periudhën pandemike dhe thellimin e varfërisë në vend, konstatohet se edhe pasi u vërejt një ritëm solid sa i takon reduktimit të varfërisë nga 27 për qind në vitin 2010 deri në 21.9 për qind në vitin 2018, prapëseprapë rreth 450 mijë persona ose një e katërta e popullsisë së përgjithshme kanë jetuar nën pragun e varfërisë relative. Kriza rëndoi më shumë buxhetin e atyre familjeve që kanë të ardhura minimale, që punojnë në vende pune të keqpaguara, apo edhe në ekonominë joformale, që varen nga ndihmat sociale, konstatojnë nga Instituti për analiza ekonomike dhe hulumtime “Finance think”.

“Varfëria ekstreme është në rënie, rezultat ky i çuditshëm në shikim të parë. Por kjo lëvizje është për shkak të faktit se midis pikës sonë të fillimit, pra para Kovid-19 dhe pikës përfundimtare pas Kovid-19, ka pasur një reformë të sistemit të mbrojtjes sociale duke rritur shumat, duke integruar më shumë lloje të ndihmës sociale dhe shënjestrim më të saktë. Shkalla relative e varfërisë për shkak të pandemisë rritet me 1.2 pikë për qind në 23.7 për qind, që është një shtesë prej 25,000 njerëzve të zhytur në varfëri si rezultat i pandemisë dhe eliminimit të përfitimeve nga zvogëlimi i saj në pesë ose gjashtë vitet e fundit, shpjegon Despina Tumanoska koordinatore e programit nga “Finance think”. Sipas saj edhe pse masat e marra nga Qeveria kanë potencialin për të tërhequr disa njerëz nga varfëria, është e nevojshme të informohen qytetarët për kushtet e përdorimit të ndihmës. Varfëria ekstreme përfshin njerëzit që kanë të ardhura deri në 44 denarë në ditë dhe kështu jetonin 95 mijë persona. Para periudhës së kovidit përqindja e tyre në përqindjen popullsisë së përgjithshme ishte 4.7 për qind, por më pas kjo përqindje u ul deri në 3.3 për qind. Numri i njerëzve që mbetën pa punë për shkak të pandemisë korrespondon me numrin e kompanive që u mbyllën, thonë nga Organizata e punëdhënësve.

“Në fakt, Maqedonia nuk mund të bëje përjashtim, humbja e disa vendeve të punës, e shkaktuar nga kriza me covid-19, është bërë e zakonshme në të gjithë botën. Nëse shuma e ndihmës është shumë e vogël, atëherë punëdhënësit do të vendosin më lehtë të mbyllin dhe të pushojnë nga puna se sa të bëjnë një përpjekje për të mbajtur të punësuarit. Numri i punëtorëve që do të humbin punën e tyre varet nga dy gjëra, së pari nga sistemi i mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve, dhe së dyti nga sasia e ndihmës për ndërmarrjet që do të sigurohet nga shteti”, thotë kreu i OPM, Angel Dimitrov.

Për këtë arsye edhe nga BB iu apelua autoriteteve shtetërore që të krijojnë politika për të mbrojtur standardin e jetesës dhe të lehtësojnë ekzistencën e punonjësve në sektorët joformalë, por edhe formalë. “Minimizimi i mbylljeve të biznesit dhe humbjeve të vendeve të punës është hapi i parë dhe mund të ketë efekte të rëndësishme të përhapjes për sektorin informal, si përmes kanaleve të furnizimit dhe kërkesës. Këto masa janë të nevojshme gjithashtu për të siguruar që një nivel minimal i aktivitetit ekonomik të ruhet ose të mund të vazhdojë relativisht shpejt pasi të hiqen kufizimet e lëvizjes. Më e rëndësishmja, përgjigjet për mbështetjen e të ardhurave duhet të futen për punëtorët që mund të mos jenë të mbuluar nga programet e mbrojtjes sociale, programet e punëve publike dhe rregullimi i sigurimit të papunësisë”, rekomandoi Banka Botërore. (koha.mk)

Të fundit