05/03/2024
7.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Maqedoni, telashet me deklarimin e etnisë në konkurset për punë

Kriter kryesor për t’u punësuar në ndërmarrjet dhe organet e administratës shtetërore, qoftë në nivelin qendror apo lokal, duhet të jetë profesionalizmi, e jo përkatësia etnike, ka deklaruar të mërkurën kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Duke komentuar dukurinë e deklarimit të rremë për përkatësinë etnike për të zënë një vend pune, Kovaçevski theksoi nevojën e ndryshimit të kritereve për punësim, në veçanti të atij që njihet si “balancues” –bazuar në Marrëveshjen Kornizë të Ohrit të vitit 2001, për përfaqësimin të drejtë të bashkësive etnike në institucionet shtetërore.
Por, ky mekanizëm në vazhdimësi është keqpërdorur .

“Vlerësoj se përkatësia etnike nuk mund të jetë profesion pasi profesioni është i definuar krejtësisht ndryshe. Pra, ka të bëjë me arsimimin, aftësinë, përvojën, sjelljen e kështu me radhë.

Reagimi i kreut të Qeverisë maqedonase u bë pasi në shumë raste në zonat e banuara me popullsi të përzier etnike, gjatë konkurseve të shpallura janë kërkuar kuadro me përkatësi etnike shqiptare, por në vend të tyre në punë janë pranuar maqedonas, të cilët gjatë aplikimit janë deklaruar si shqiptarë.

“Nuk besoj se mund të gjeni një qytetar në shtetet evropiane, i cili ndryshon nacionalitetin brenda ditës vetëm që të bëhet pjesë e ndonjë institucioni. Besoj se është nënçmim edhe për institucionin, edhe për këta qytetarë, të cilët e bëjnë këtë veprim, kishte deklaruar më herët ministri i Shoqërisë Informative, Azir Aliu, duke komentuar dukurinë e deklarimit të rremë të përkatësisë etnike.

Nga kjo ministri, e cila ka futur në përdorim mekanizimin e balancuesit, thonë se nuk kanë të drejtë ligjore që t’ia ndalojnë dikujt se si deklarohet për sa i përket përkatësisë etnike.

Aktualisht, nuk ka ndonjë propozim për zgjidhjen e problemit.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, të gjitha konkurset që shpallen me apostrofimin e përkatësisë etnike janë “të paligjshme dhe jo kushtetuese”, pasi sipas saj, kriteri i profesionalizmit duhet të jetë bazë për punësimet pasi në të kundërtën qytetarët do të vihen në “pozita të pabarabarta”.

Në fund të gushtit të kaluar 2023, një hulumtim i organizatës joqeveritare “Qendra për Menaxhimin e Ndryshimeve” doli me të dhënat se aplikimi i mekanizmit të balancuesit gjatë punësimeve ka qenë “kundërproduktiv”.

Mbi 76 për qind e të anketuarve e kanë vlerësuar “të keqe” praktikën e punësimit sipas parimit të përfaqësimit adekuat dhe të drejtë në administratën publike.

Për të shmangur keqpërdorimet, respektivisht deklarimin rrejshëm të përkatësisë etnike për një vend pune, Ministria e Drejtësisë kishte bërë ndryshime në Udhëzimin për nxjerrjen e certifikatave të lindjes ku vendosi kolonën e përkatësisë etnike.

Por, edhe ky vendim u pezullua nga Gjykata Kushtetuese pas një parashtrese nga një subjekt politik me vlerësimin se “përkatësia kombëtare është ndjenjë personale e qytetarit dhe nuk mund të vërtetohet me dokument publik”./REL/

Të fundit