01/11/2024
8.6 C
Tetovo

Të tjera lajme

Mbrëmje artistike mes pikturave e vargjeve poetike

Shkruan: Sadije Aliti

Kolorit pikturash, kolorit vargjesh e kolorit tingujsh të kitarës e çiftelisë ishin një shoqërim I bukur mes artistëve  në atë mbrëmje në konakun, atelienë, e profesorit Miftar Memeti në Tetovë.  Një mbrëmje artistike me muhabete artistike, evokim kujtimesh ndër vite një aktivitet I përbashkët i Shoqatës së Shkrimtarëve Oeneum në Tetovë shënoi edhe përvjetorin e piktorit tetovar, shtatë dekada jetë. Aty ndriçimi i hënës mbrëmjeve dhe shkëlqimi I rrezes së diellit mëngjeseve trazonte shqetësimet e artistit që rrugëtoi me pikturat e tij në shumë qendra kulturore në Evropë e më gjerë.  Arti i pikturës flet me gjuhën e brushës e arti i poezisë flet me gjuhën e vargut. “Piktura është një poezi që shihet por nuk dëgjohet, poezia është një pikture që dëgjohet por nuk shihet” do të thoshte DaVinçi.

Poezia ndodh, e ne nuk e dimë kur do herë se pse ndodh, por ajo ndodh. Është një përjetim e përvoja të mëson të kuptosh nëse është një përjetim poetik, apo përjetim i rëndomtë. Por, në momentin kur autori beson se është një përjetim poetik, atëherë e shkruan. Pra është përjetim ose përjetim dhe mendim bashkë, edhe ky rrugëtim pothuajse ndodh edhe me artin, piktorin. Përjetim, mendim, sintezë për shumë gjëra, që shkruhet me gjuhën e poezisë, me gjuhën e veçantë të poezisë apo me brushën e piktorit. Por jo vetëm sigurisht, është edhe mosha edhe përjetimet që lidhen me jetën, me të shkuarën apo edhe me aktualitetin. Është gjendje shpirtërore. 

Poezia dhe arti janë vatra të frymëzimit dhe lartësimit në misterin e jetës. Përmes tyre hetohet thellësia dhe përmallimi ndaj misterit. Përballë pikturës së 100 portreteve të nderit të kombit Gonxhe Bojaxhiut, Nënë Terezës, apo 100 figurave më markante të historisë e kombit shqiptar ndër shekuj, jehuan vargjet poetike për shumëçka të rralla. Piktura unikale për këto projekte kombëtare, prurje me ide të reja artistike të kohës. Frymëzimi i poetit përflaket nga pamja që shquan piktura. Përmes virtytit të veprës së artit, arrihet të paraqitet në trajtën e dukshme e të magjishme paneli i piktorit, kitara apo pianoja, bardhësia e dritës e shtrirë kudo në atelie.  Derisa fuqia e vargut qëndron në mendimin e subjektit lirik dhe është trajtësimi, qoftë edhe i nëpër jetimi krejtësisht të rastit, poezia jetohet, është dimensioni i çastit, ai që e shkruan dhe ai që e lexon poezinë, nuk janë një dhe poezia nuk është e njëjta për të gjithë. Shumë shpesh madje, ajo ka formë të pa formë ashtu siç na duken edhe pikturat modern të kohës, përjetojmë atë dhe, po mundëm, t’i japim pak zë edhe poezisë që mund të flejë brenda nesh, por edhe pikturës që e shohim.

Një mikpritje bujare nga zonjat e shtëpisë Lulja, Enesa dhe Suzana me një koktej rasti dhe biseda të ngrohta rreth artit dhe jetës së profesorit, një familje artistësh.

Fjalë rasti mbajti kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve Oeneum në Tetovë, Daim Iljazi duke evokuar edhe kujtime nga rinia e hershme me profesorin. Në shenjë faleminderimi për kontributin e dhënë në fushën artit për Tetovën dhe kulturën shqiptare në përgjithësi u nderua me një mirënjohje.

Poezi lexuan Daim Iljazi, Behare Neziri, Sadije Aliti, Adem Abdullahu, Jashar Kasami, Jusufzija Ademi, Zylbear Zylbeari, Surja Etemi, Rami Kamberi, Izmit Imeri. Me tinguj të çifteslisë këtë mbrëmje e shoqëroi Syrja Etemi ndërsa me kitarë disa këngë kënduan piktori Miftar Memeti dhe Drenusha Palloshi.

Piktura ka qenë gjithmonë pjesë e jetës së profesorit urojmë që ky rrugëtim të vazhdojë edhe më tej ndër gjeneratat e reja të familjes së tij. Piktura lejon të shprehen ndjenjat e brendshme, të shprehen artistikisht dhe gjithë ajo bukuri të përkthehet në një pikturë, në një vepër arti./Tv Koha/

Të fundit