01/11/2024
10.4 C
Tetovo

Të tjera lajme

MEXHITI: MBËSHTESIM SHKENCËN SI ASNJËHERË MË PARË

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, z. Izet Mexhiti sot mori pjesë dhe kishte paraqitje në hapjen e punimeve të Takimit të 19-të vjetor të studiuesve shqiptar, të organizuar nga Instituti mbarëkombëtar ‘Alb-Shkenca’.
Në takim, ku të pranishëm ishin kryetari i ‘Institutit Alb-Shkenca’, Gentian Zyberi, zëvendës ministrat e Arsimit dhe Shkencës nga vendi ynë dhe Kosova, Lulzim Aliu dhe Arsim Ademi, zv.ministrja e Transporteve Kaltrina Zekolli Shaqiri, kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu, rektori i UNT-së Prof.dr. Izet Zeqiri, studiues nga gjitha trojet shqiptare dhe Europa, zëvendës kryeministri i Parë Mexhiti, nën kujdesin e të cilit u organizua ky event, në emër të Qeverisë së RMV-së u dëshiroi mirëseardhje studiuesve në Shkup.
Mexhiti në paraqitjen e tij tha se rrugët për integrimin e arsimit padyshim që kalojnë përmes politikave arsimore të cilat i krijojnë qeveritë përkatëse të shteteve tona.
‘Hapësira shqiptare sot është më e pasur se kurdoherë me institucione të arsimit të lartë dhe institucione kërkimore shkencore të cilat na obligojnë neve si politikanë që të punojmë për të krijuar korniza të tilla juridike të cilat paradigmën e integrimit arsimor e shkencor do ta ngrisin në nivel të detyrimit dhe përkushtimit për realizim’, tha Mexhiti duke shtuar se në këtë drejtim  Qeveria ka akorduar rreth 35 milionë euro mjete për ndërtimin e kampusit universitar të Universitetit Nënë Tereza në Shkup.
Përpos kësaj, tha Mexhiti, mjete janë alokuar edhe për laboratorin shkencor të Universitetit të Tetovës, e do të mbështetet edhe Universiteti i Evropës Jug Lindore në Tetovë, që janë tregues të përcaktimeve dhe orientimeve programore të Qeverisë e cila arsimin vërtetë e trajton si njërën ndër shtyllat themelore të shoqërisë dhe shtetit tonë.
‘Siç besoj jeni të njoftuar, aktualisht ekziston një ide për themelimin e Akademisë Shqiptare të Shkencave dhe Arteve në Maqedoni të Veriut. Ne besojmë se ka ardhur koha për një institucion të tillë akademik shkencor dhe po punojmë për realizimin e kësaj ideje. Korniza ligjore ekziston, baza kushtetuese gjithashtu. Ajo çfarë nevojitet është mirëbesimi se ideja do të marrë formë’ deklaroi Mexhiti në takim, duke përfunduar me fjalët, ‘E kur shkenca flet – politika hesht!’
Në formë falënderimi për mbështetjen e gjashtë sesioneve të zhvilluara në Shkup, organizatorët u ndanë mirënjohje zëvendëskryeministrit të Parë dhe Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti si dhe kryetarit të Komunës së Çairit Visar Ganiu, ku po zhvillon punimet instituti.
Ky është Takimi i 19-të i Alb-Shkencës, që bashkon studiues, profesorë dhe profesionistë shqiptarë nga mbarë bota për të ndarë dhe shkëmbyer njohuri, ide dhe përvoja në fushën e shkencës dhe teknologjisë, ndërsa çdo vit zhvillohet në trekëndësishin Tiranë-Prishtinë-Shkup, në bazë të rotacionit.

Të fundit