“Sot, së bashku me Kryeministrin Hristijan Mickoski dhe Ministrin e Kulturës Zoran Lutkov, u bashkuam në një ceremoni nderimi për bijën shqiptare nga Shkupi, Nënë Terezën, me rastin e kremtimit të ditëlindjes së saj”, ka shkruar zv.kryeministri i parë Izet Mexhiti.
“U mblodhëm për të nderuar jetën dhe veprën e saj të jashtëzakonshme – një grua shqiptare që, përmes përkushtimit të saj ndaj më të varfërve dhe të braktisurve, u bë simbol i dhembshurisë dhe shërbimit ndaj gjithë njerëzimit.
Gjatë kësaj ceremonie, u ndjeva krenar që si komb i saj, e kujtojmë dhe e respektojmë trashëgiminë e saj të jashtëzakonshme, e cila vazhdon të ndikojë jetën e miliona njerëzve në mbarë botën”, vijon shkrimin e tij Mexhiti.
“Ky nderim nuk është vetëm një kujtesë për një jetë të kaluar në shërbim të të tjerëve, por edhe një thirrje për të gjithë ne që të vazhdojmë rrugën e saj, duke vepruar për të mirën e përbashkët dhe duke mbështetur ata që kanë më shumë nevojë”
“Ne nuk kemi nevojë për armë dhe bomba për të sjellë paqe në botë; ne kemi nevojë për dashuri dhe dhembshuri,” – janë fjalët e Nënë Terezës, që mbeten një shembull i përjetshëm i forcës që vjen nga dashuria dhe përkujdesja për të tjerët”, mbyllet shkrimi i Mexhiti.