Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut ka kumtuar detaje për rastin e fluturimit prej Shkupi në Turku të Finlandës, ku 24 prej 157 pasagjerët rezultuan pozitiv me virusin Covid-19.
Thonë, se pas verifikimit të informacioneve me shërbimet e aeroportit të Shkupit dhe policisë kufitare, pasagjerët e infektuar kanë qenë udhëtarë që tranzitojnë nëpërmjet Maqedonisë së Veriut.
“Bëhet fjalë për udhëtarë, të shpërngulur, të cilët vijnë në Maqedoni, apo tranzitojnë nëpërmjet Maqedonisë nga shtetet të ndryshme, ndërkaq kthehen në punë në Evropën Perëndimore, të cilët me leje qëndrim apo shtetësi të BE-së nuk vlejnë restrikcionet gjatë hyrje-daljes në shtet”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë, njofton TV21.
Më tej, njoftojnë se sipas informacioneve të marra, pjesa dërmuese e udhëtarëve kanë qenë me pasaportë të Kosovës (95 persona), me pasaportë të Finlandës (60 persona), me pasaportë të RMV-së (2 persona) ndërkaq të tjerët me pasaportë të Shqipërisë, Bullgarisë, Estonisë dhe Suedisë.
Njoftojnë se kanë kërkuar informacione nga Qeveria e Finlandës për të mësuar se cilët janë 24 udhëtarët pozitiv me Covid-19.
“Po grumbullojmë informacione nga Qeveria e Finlandës për atë se kush janë 24 udhëtarët pozitivë me virusin, a bëhet fjalë për disa familje apo janë raste të veçanta, çfarë lloj testesh u janë bërë, kurse Instituti i Shëndetit Publik tashmë punon për të verifikuar se nëse ndonjërit nga udhëtarëve u është dhënë masë e vetëizolimit në shtetin tonë”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Shëndetësisë.
Pasi të sigurojnë informacionet, do të kumtojnë për publikun, ndërkaq ftojnë që gjatë çdo udhëtimi qytetarët të respektojnë masat për mbrojtje personale nga Covid-19.