28/04/2024
17.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

Mjekët psikiatër, në kushte pandemie qytetarët të kenë kujdes për shëndetin mental

Po rritet numri i personave nga Kumanova të cilët kërkojnë ndihmë për tejkalimin e problemeve me shëndetin mental, shkaktuar nga pandemia e Kovid-19, thonë nga reparti për psikiatri nga Spitali i përgjithshëm i Kumanovës. Kumanova regjistron rreth 900 persona të sëmurë prej fillimit të pandemisë dhe nuk është e pazakontë të rritet numri i personave të cilët vuajnë nga ankthi, depresioni dhe probleme të tjera psiqike. Psikiatrja dhe psikoterapistja Adriana Bogdanovska Toskiq nga reparti për psikiatri sqaron se disa aspekte lidhur me pandeminë aktuale kontribuojnë në përkeqësimin e mirëqenies mentale të njerëzve.

“Bëhet fjalë për kërcënim real nga infektimi dhe zhvillimi i sëmundjes me epilog të mundshëm edhe fatal. Kërcënimi i këtillë shkakton ndjenjë të frikës, paqartësisë, e madje edhe panik. Virusi është i ri dhe i panjohur për mjekësinë, ishte i paqartë transmisioni i tij, faktorë të cilët e komplikojnë pasqyrën klinike, qasjen terapike, që plotësisht reflektohet edhe ndaj perceptimit të virusit dhe sëmurjen tek popullata, duke e rritur edhe ndjenjën e rrezikimit. Kategori e posaçme e qytetarëve të rrezikuar ishin edhe personat pozitivë ndaj SARS-KoV 19 dhe personat e sëmurë nga Kovid-19, si dhe familjet dhe kontaktet e tyre të afërta. Tek ata frika dhe paqartësia janë shumëfishuar”, thotë Bogdanovska Toskiq.

Përvoja e mjekëve psikiatër tregon se tek disa individë shteret barriera mbrojtëse psikologjike dhe frika manifestohet në simptome somatike (rrahje të zemrës, djersitje, ngulfatje, kokëdhimbje), të panikës dhe depresive, që është rezultat i ndjenjës së rritur të frikës dhe rrezikimit që vjen për shkak të sjelljes së imponuar, e cila, ndërkaq, ka për qëllim parandalimin e përhapjes së virusit, uljen e kontakteve, mbajtjen e distancës fizike, mbajtjen e mbrojtjes personale, vjen deri te aktivizimi dhe adaptimi i mekanizmave psikologjikë të mbrojtjes dhe ndryshimeve të caktuara në funksionimin konjitiv-bihejvioristik.

“Ka edhe rritje të numrit të personave të cilët kërkojnë ndihmë psikologjike, psikoterapike dhe psikiatrike dhe atë mu lidhur me shpërthimin e pandemisë dhe adaptimit në kushtet e reja”, shton Bogdanovska Toskiq.

Ajo potencon se secili individ ka strukturë të vet specifike dhe përdorë pakon e vet të mekanizmave psikologjikë mbrojtës. Tek disa persona, përballja me rrezikun shkakton vërshim të frikës dhe tek ata zhvillohen disa sjellje të caktuara opsesive. Persona të tjerë, duke mos mundur ta përballojnë ankthin, e përdorin mekanizmin e mohimit. Disa njerëz i qasen problemit me racionalizëm dhe izolim ndaj afektit që një periudhë të caktuar mund të lë përshtypje të përballjes së suksesshme me frikën.

Bogdanovska Toskiq rekomandon që pacientët ta strukturojnë ditën, të lënë kohë edhe për relaksim apo ndonjë hobi.

“Është shumë me rëndësi të mirëmbahen mbështetja e vendosur sociale dhe komunikimi në kushte të ndryshuara, por me rëndësi është të ndahen përjetimet emotive, druajtjet, të bisedohet me ndonjërin me të cilin ndjehemi të pranuar, të relaksuar. Është mirë të kalohet kohë jashtë në ambiente të hapura, në natyrë”, thotë Bogdanovska Toskiq.

Pacientët në spitalin e Kumanovës munden edhe përmes telefonit të konsultohen me psikiatrin, mund të përdorin edhe mënyrën onllajn për të biseduar me psikiatrin, të kërkojnë ndihmë dhe këshillim.(Aleksandra Maksimovska/MIA)

Të fundit