24/05/2024
11.6 C
Tetovo

Të tjera lajme

MMJPH e filloi projektin për zbatimin e legjislacionit për menaxhim me mbeturinat

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor sot e filloi projektin “Mbështetje në zbatimin e legjislacionit për menaxhim me mbeturinat dhe skema për përgjegjësi të zgjeruar të prodhuesit” i financuar nga BE-ja, ndërsa partnerë janë Hungaria dhe Austria. Me projektin harmonizohet legjislacioni vendor në pjesën e përgjegjësisë së zgjeruar me atë të Bashkimit Evropian.

Shefi për bashkëpunim në Delegacionin e BE-së, Stefan Hudolin theksoi se vendit do t’i ndihmohet me një milion euro për gatishmëri më të madhe në pjesën e legjislacionit dhe harmonizimit të ligjeve për mbeturina dhe riciklim. Hudolin theksoi se BE-ja në të kaluarën, bashkë me vendet anëtare, kanë mobilizuar fonde të mëdha për mjedisin jetësor dhe për mbeturinat, por, siç theksoi, ka vonesa kur bëhet fjalë për zbatimin dhe u bëri thirrje institucioneve që sa më shpejtë ta zbatojnë këtë projekt në teren.

“Kjo është për rritjen e përgjegjësisë së prodhuesve dhe përballjen me mbeturinat prej ku prodhohet, por para së gjithash suksesi në menaxhimin me mbeturinat në këtë vend varet nga zbatimi i ligjeve dhe si kjo do të ndiqet nga ana e kompetentëve”, tha Hudolin.

Ministrja e Mjedisit Jetësor, Kaja Shukova, në deklaratë për mediat, theksoi se vazhdimi i harmonizimit të legjislacionit vendor me atë të Bashkimit Evropian me ndihmën e mjeteve të BE-së, është i rëndësishëm për vendin.

“Ajo që është me rëndësi është se e harmonizojmë legjislacionin në pjesën e përgjegjësisë së zgjeruar ku kemi partnerë seriozë të cilët duhet të punojnë seriozisht në pjesën e uljes së sasive të mbeturinave të cilat përfundimisht i grumbullojmë dhe janë sipas parimeve të ekonomisë rrethore”, theksoi Shukova.

Lidhur me informacionet të cilat u paraqitën në media se po ndërtohet port në anën shqiptare të Liqenit të Ohrit, ministrja Shukova tha se nuk bëhet fjalë për gjë të tillë, por se po punohet në pastrimin e terenit. Sipas Shukovës, nuk ka reagim nga UNESKO se po ndërtohet një objekt i tillë. 

Të fundit