Të tjera lajme

NATA FINALE E SHNDËRRIMIT TË VLEN NË NJË PARTI

Sonte liderët e koalicionit VLEN-it do të mblidhen për të përcaktuar dinamikën e shndërrimit të koalicionit në subjekt politik.  Kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami tha se sonte do të diskutohen edhe kërkesat e Alternativës, dhe siç theksoi ai, do të nisë rrugëtimi i VLEN-it si një subjekt politik.

“Ne atë që e kemi përcjellur përmes lajmeve, që Alternativa, ashtu si edhe Lëvizja Besa dhe LD-ja, tashmë morën vendim për shkrirje të organeve partiake në një subjekt të vetëm. Ne sot kemi takimin e radhës ku besoj që do t’i sqarojmë këto çështje edhe me Alternativën dhe nga sonte unë besoj që do të nisë rrugëtimi i VLEN-it drejt një subjekti politik”, tha Kasami.

Kasami thotë se të “padëgjuarit” në VLEN me shumë gjasa do të jenë pjesë e rikonstruimit të Qeverisë, duke aluduar në ministrin Fatmir Limain dhe zv/kryeministrin Arben Fetahin.

 “Ashtu si Fatmir Limani, edhe figura të tjera ka pasur zhvillime edhe brenda aleancës. Ndoshta mund të jenë në planin e rikonstruimit por ajo që është më me rëndësi fokusi jonë është tek vlen. Dhe sigurisht që deri në riformatimin e qeverisë VLEN do të jetë më i konsoliduar dhe do të jetë më i gatshëm për të ju përgjigjur edhe mundësisë së rikonstruimit si një zë dhe is një subjekt”.

Zhvillimet e fundit rreth koalicionit VLEN tregojnë për një fazë vendimtare të riorganizimit të brendshëm dhe konsolidimit politik. Procesi i shndërrimit në një subjekt të vetëm politik shihet si përpjekje për të forcuar pozicionin brenda shumicës qeverisëse, por edhe për të shmangur përçarjet e brendshme që kanë dalë në pah kohët e fundit. Në prag të rikonstruimit të paralajmëruar të Qeverisë, mbetet të shihet nëse VLEN do të arrijë të dalë më i unifikuar dhe me një qëndrim të përbashkët politik, apo nëse dallimet e brendshme do të ndikojnë në rolin e tij në skenën politike.

Të fundit