Trajneri, Arne Slot, nuk do ta mbajë mend për të mirë ndeshjen e tij të 100-të në bankinën e Liverpulit. Në Stamboll Galatasaraj shënoi fitore 1 me 0 duke e lënë gjigandin anglez me një detyrë të vështirë në ndeshjen e kthimit në Anfield.
Atmosfera në stadium ishte e jashtëzakonshme.
Një moment emotiv ndodhi para nisjes së ndeshjes. Tifozët e Galatasarajit organizuan një koreografi spektakolare për sulmuesin e tyre Viktor Osimhen kushtuar familjes së tij.
“Ne jemi familje dhe familja është mbi të gjitha” qëndronte mbishkrimi në tribunë, kurse Osimhen mezi mbante lotët.
Futbollisti kishte humbur nënën e tij si fëmijë kurse kishte shitur ujë në rrugë për të mbijetuar.
Një tjetër performansë e tifozëve të Galatasarajit e që lidhet me zhvillimet e fundit gjeopolitike në botë, mahniti sportdashësit.
“Paqë në shtëpi, paqë në botë” – ishte mesazhi që ka bërë jehonë në botën e futbollit dhe jo vetëm!
Një rast tjetër interesant ndodhi në ndeshjen Atletiko Madrid – Totenhem.
Menaxheri londinezëve, Igor Tudor, është në qendër të vëmendjes së opinionit pasi në minutën e 17-të zëvendësoi portierin çek Antonin Kinski.
Gazeta spanjolle “Marca” komentin për ndeshjen e titulloi “Njeriu që nisi ndeshjen me Kinskin ishte I njëjti që më vonë e “vrau” – Tudori. Sipas “Marca”, 17 minutat e tij në terren dhe zëvendësimi më shumë flasin për trajnerin e tij se sa për vet portierin”.
Njoftimet e fundit nga Anglia flasin se Igor Tudori që u soll në Londër për ta shpëtuar Totenhemin nga rënia në Premiership, është afër shkarkimit.
Në dy ndeshjet tjera, Bajerni deklasoi Atalantan në Bergamo 6 me 1 kurse Njukasli me Barcelonën luajtën baraz 1 me 1.
![]()







