Ndonëse ishin nisur për një udhëtim pune për në Tiranë, deputetët e VLEN-it, Adnan Azizi dhe Bekim Qoku të shoqëruar edhe nga zv. sekretari i Qeverisë, Hasim Murtezani, dje u përballën me një pengesë të paprecendë në pikën kufitare në Qafë-Thanë.
Ndonëse të pajisur me pasaportë diplomatike si deputetët po edhe zv. sekretari janë mbajtur për më shumë se një orë në hyrje me Shqipërinë pa ju dhënë ndonjë arsye.
Përveç se u mbajtën më shumë se një orë, policia ka shoqëruar për bisedë informative një person të katërt që ishte në veturë me zyrtarët shqiptarë.
Koordinatori i Grupit Parlamentar të VLEN, Bekim Qoku, në një prononcim ekskluziv për TV Koha ka deklaruar se kalimi që duhej të ishte rutinë dhe kontrolle që duhej të zgjasnin jo më shumë se pesë minuta, u kthyen në një ndalesë më të gjatë se një orë. Qoku thotë se zyrtarët e shtetit shqiptar nuk kanë dhënë asnjë arsye qoftë zyrtare, qoftë jo zyrtare për këtë ndalesë.
BEKIM QOKU – Se pse na ndodhi e gjithë kjo situatë, me të vërtetë absurde, e pakuptimtë, pa spjegim që tre zyrtarë kaq të lartë të shtetit të ndalohen dhe të mbahen pa spjegim në vendkalimin kufitar Qafë-Thanë. Në momentin që dëgjuam, na u komunikua që njëri nga bashkë-udhëtarët tanë i refuzohet hyrja, ne vendosëm të kthehemi. Tani jemi në Strugë dhe ende nuk e kemi të qartë pse ndodhi kjo.
Deputeti Adnan Azizi ka deklaruar se aktivist të shumtë të VLEN paraprakisht e kishin njoftuar se janë ndaluar e kthyer mbrapsht nga kufiri. Këtë situatë, Azizi e vlerëson si absurde.
ADNAN AZIZI – Ne jemi shqiptarë, atdheu ynë është Shqipëria dhe për atë Shqipëri kemi dhënë kontribut, kanë dhënë të gjithë shqiptarët anë e mbanë trojeve tona. Jo rastësisht edhe Mehmet Pashë Deralla u zgjodh në Qeverinë e Ismail Qemalit si ministër i Luftës, për shkak të gjithë atij kontributi që kanë dhënë edhe shqiptarët e Maqedonisë. Jo vetëm gjatë pavarësisë të shtetit shqiptar, por edhe pastaj, ne jemi kontribuesit më të mëdhenjë, për ta bërë atë Shqipëri dhe gjithnjë kemi qenë të përfshirë në organizime ilegale, në protesta, por, jo kundër Shqipërisë, por kundër Serbisë.
Dy deputetët thanë se presin sqarim nga autoritetet shqiptare, ndërkaq sqarim për këtë rast ka kërkuar edhe VLEN.
Ndalimi i deputetëve ka shkaktuar reagime të forta edhe në Kosovë po edhe në Shqipëri e Maqedoni të Veriut, ku numër i madhë i njohësve kanë kundërshtuar mënyrën se si kryeministri Rama ka vendosur të hakmerret ndaj të gjithë atyre që mendojnë ndryshe nga ai./Tv Koha/







