26/10/2024
18 C
Tetovo

Të tjera lajme

Në zgjedhje lokale do të garojmë së bashku, nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare, deklaroi Mexhiti

Kryetari i Lëvizjes Demokratike dhe Ministri për Mjedis Jetësor dhe Planifikim Hapësinor, Izet Mexhiti, ka paralajmëruar që në zgjedhjet e ardhshme lokale do të garojnë si pjesë e koalicionit VLEN.

“VLEN kanë marrë pjesë së bashku në zgjedhjet parlamentare dhe si koalicion janë pjesë e Qeverisë dhe nuk ka dyshim se do të dalin bashkë edhe në zgjedhjet lokale”, deklaroi Izet Mexhiti në TV24.

Ai në këtë intervistë ka sqaruar që nuk e kanë në plan të dalin nga Qeveria dhe nuk i vlerëson të nevojshme zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

“VLEN nuk ka asnjë dilemë. Dilema është nëse deri atëherë (zgjedhjet lokale) VLEN do të shkrihet në një apo do të jetë vetëm një ombrellë prej katër deri në pesë subjekte. Me çdo kusht VLEN do të performojë së bashku në zgjedhjet e ardhshme lokale”, deklaroi Mexhiti.

Ai theksoi që shumë parti po e braktisin Frontin Europian, front i cili po përçahet sipas Mexhitit.

Në fund të muajit gusht, kryetari i Tetovës dhe Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, kishte paralajmëruar që partitë e Koalicionit VLEN do të garojnë së bashku në zgjedhjet lokale të ardhshme. Në VLEN bëjnë pjesë Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit, Alternativa e Zeqirija Ibrahimit, Lëvizja Besa e Bilall Kasamit dhe Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit.

Ky koalicion pas zgjedhjeve të majit, ku mori 14 deputetë, filloi strukturimin dhe formimin e organeve, duke mos anashkaluar edhe mundësinë e shkrirjes në një subjekt politik. Më 14 korrik, në Shkup u takuan udhëheqësit e koalicionit VLEN për të shpalosur Trupin koordinues politik të VLEN-it.

Të fundit