Të tjera lajme

Nga 1 milion euro të kërkuara, Apeli i njeh Selës vetëm 126 mijë euro

Vetëm 126 mijë euro dëmshpërblim për Ziadin Selën për ngjarjet e 27 prillit, Apeli merr vendim të formës së prerë

Gjykata e Apelit në Shkup ka sjellë aktgjykimin e formës së prerë lidhur me padinë për dëmshpërblim të ish-deputetit Ziadin Sela për dhunën e ushtruar ndaj tij gjatë ngjarjeve të 27 prillit 2017 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

Me vendimin e ri, Apeli ka pranuar pjesërisht ankesën e Selës dhe ka rritur shumën e dëmshpërblimit që shteti duhet t’i paguajë për dëmin jomaterial të pësuar. Megjithatë, shuma e miratuar është shumë më e ulët se ajo e kërkuar nga Sela.

Në padinë e tij, Sela kishte kërkuar rreth 61 milionë denarë, ose afërsisht 1 milion euro, ndërsa Gjykata e Apelit ka vendosur që Republika e Maqedonisë së Veriut t’i paguajë 7.8 milionë denarë, përkatësisht rreth 126.830 euro.

Sipas arsyetimit të gjykatës, shkalla e parë nuk e kishte vlerësuar në mënyrë të mjaftueshme seriozitetin e dëmit të shkaktuar dhe nuk kishte marrë parasysh të gjitha rrethanat që ndikojnë në përcaktimin e një kompensimi të drejtë.

Dëmshpërblimi është ndarë si më poshtë:

  • 1.500.000 denarë për dhimbjet fizike;
  • 900.000 denarë për frikën e përjetuar;
  • 3.000.000 denarë për dhimbjet shpirtërore për shkak të zvogëlimit të aftësisë së përgjithshme jetësore;
  • 600.000 denarë për shpërfytyrimin;
  • 600.000 denarë për cenimin e dinjitetit personal;
  • 600.000 denarë për cenimin e nderit;
  • 600.000 denarë për cenimin e reputacionit.

Njëkohësisht, Gjykata e Apelit ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Avokaturës së Shtetit, e cila kishte kërkuar shfuqizimin e aktgjykimit dhe rikthimin e lëndës në rigjykim.

Të fundit