25/10/2024
17.6 C
Tetovo

Të tjera lajme

Nis ndërtimi i rrugës “Boris Kidriç” në Tetovë

Ka filluar ndërtimi i rrugës “Boris Kidriç” në Tetovë. Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami ka deklaruar se faza e parë do të kushtojë mbi 5 milionë denarë, ndërsa faza e dytë mbi 7 milionë denarë apo rreth 200 mijë euro gjithsej. Afati për realizimin e këtij projekti është 120 ditë. Bëhet fjalë për rrugën nga “Jane Sandanski” e deri tek bulevardi “Bllagoja Toska”.

“Bëhet fjalë për një koncept të ri të rregullimit të rrugëve në territorin e Komunës së Tetovës që i përshtatet edhe kësaj pjese të qytetit, e cila është afër sheshit e që është konceptuar të jetë vazhdimësi e pedonales së qytetit, pra të gjithë ata që do të duan t`i shijojnë bukuritë e qytetit në këtë pjesë do të mund të lëvizin në pjesën për këmbësorë e cila do të jetë në mes të rrugës. Bëhet fjalë për një investim të rëndësishëm që financohet nga buxheti i Komunës së Tetovës. Gjatësia e rrugës është 350 metra, kurse gjerësia është 25 metra. Do të ketë në të dy anët e rrugës trotuare me nga dy metra, rrugët do të jenë nga tre metra, poashtu është paraparë edhe gjelbërim, shëtitorja do të jetë 4.5 metra dhe dy shtigje për biçikleta me nga dy metra”, deklaroi Kasami.

Në ndërkohë, lidhur me prerjen e druve në këtë rrugë, Kasami është shprehur se janë konsultuar ekspertë dhe është marrë leje që të largohen drunjtë për shkak të vjetërsisë së tyre. Ai ka shtuar më tej se do të mbjelljen më shumë dru se sa ka patur deri më tani. Më tej ai është shprehur se nëse brenda katër muajve realizohet ky projekt atëherë kjo do të jetë një arterie mjaft e rëndësishme për zhvillimin e infrastrukturës në qytetin e Tetovës. Rruga “Boris Kidriç” në Tetovë  për një kohë të gjatë nuk, është rikonstruar nga autoritetet komunale, duke patur parasysh se edhe pjesa e trotuareve për këmbësorë është mjafte  dëmtuar.

Bëhet fjalë për rrugën nga ish Shtëpia e Armatës  e deri tek qendra sportive e cila lidhet edhe me pjesën qendrore të qytetit të Tetovës dhe është mjaft e frekuentuar por gjithnjë aty ka pasur mungesë të vendeve të parkimit dhe është krijuar kaos.

Ndërtimi i kësaj rruge do të ndihmonte shumë në shkarkimin e komunikacionit nëpër rrugët tjera të qytetit por njëkohësisht do të mundësonte lëvizje më të sigurt edhe për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, pasi që në këtë zonë jo shumë larg ndodhet shkolla e mesme ekonomike si dhe shkolla fillore Migjeni. Krahas kësaj, kjo rrugë lidhet direkt edhe me qendrën sportive në Tetovë. Në këtë rrugë një kohë të gjatë edhe ndriçimi publik është dëmtuar dhe pritet që me rindërtimin e së njëjtës, kjo rrugë të merr pamje të mirë por edhe më shumë hapësira për këmbësorët./TV KOHA/

 

Të fundit