Nëpër arat e Pollogut kanë nisur korrje-shirrjet. Në terren shihen kombajnat që korrin “bereqetin” për këtë vit.
Moti i nxehtë ka bërë që korrjet të nisin më herët, por vapa ka ndikuar edhe në rendimentet e grurit.
Sikurse çdo vit edhe ky vit vjen me probleme të njëjta për bujqit. Çmimet e larta gjatë mbjelljes së grurit dhe çmimi I ulët në treg I grurit. Por, një problem tjetër paraqitet edhe gruri që importohet nga jashtë, veçanërisht nga Serbia.
Por, sidoqoftë, bujqit thonë se edhe ato pak ara që janë mbjellur duhet të korren.
AMET ISMAILI – Bujk “Korrje shirjet kanë filluar sot për shkak të klimës se ka qenë më nxehtë përndryshe fillojmë me 12 deri më 15 korrik në Pollog. Po sivjet shkaku I klimës se ka qenë më nxehtë filluam më herët edhe sasia është e ulët do të thotë 250 deri me 200 kg në dekar ose 2.500 deri 3.000 kilogram në hektar’’
Nga viti në vit ulen sipërfaqet e mbjellura me grurë në Pollog. Bujqit thonë se nuk kanë lëvërdi t`i mbjellin arat me grurë shkaku i çmimit të lartë të procesit të mbjelljes, naftës e plehrave artificiale dhe çmimit të ulët të grurit.
‘Vështirësi ka shumë se çmimi është shumë I ulët , bujqit kanë filluar mos ta mbjellin grurin shkaku I çmimit . Për shkak se tani është 10 – 11 denar në tregun evropian dhe botërorë në bursë, edhe për shkak të çmimit nuk mbjellin sasia të mëdhaja. Domethënë janë zvogëluar sasitë deri 70 për qind, vetëm 30 përqind zakonisht mbjellin vetëm ata të cilët kanë kafshë, ndërsa tjerët nuk mbjellin grurë shkaku është se nuk ka llogari”
Ndryshe në nivel shteti, bujqit qëmoti kanë ngritur alarmin për çmimin e ulët të grurit. Thonë se gruri i vitit të kaluar ende nuk është bluar, ndërkohë që nga Serbia po importohen sasi të mëdha gruri dhe mielli. Sipas tyre, për grurin e importuar nga Serbia paguhen valuta të huaja, ndërsa gruri vendas mbetet pa çmim dhe pa u blerë.
Bujqit kanë bërë thirrje që Qeveria të shqyrtojë urgjentisht situatën dhe të reagojë për të siguruar treg për prodhimin vendas dhe një çmim të dinjitetshëm.
Kërkohet që nga fondi intervenues të ndahen 5 denarë për çdo kilogram grurë të dorëzuar, të ndalohet importi i miellit dhe grurit deri më 31 dhjetor 2026, me qëllim që fillimisht të grumbullohet prodhimi vendas dhe deri të premten, 10 korrik, të paguhen plotësisht subvencionet për kulturat drithore dhe lulediellin./Tv Koha/








