23/10/2024
19.5 C
Tetovo

Të tjera lajme

Një ngjarje e rëndë u parandalua mesditën e djeshme në qendër të Durrësit

Një ngjarje e rëndë u parandalua mesditën e sotme në qendër të Durrësit, në sheshin ‘Liria’, ku një grua tentoi t’i japë fund jetës duke i vendosur zjarrin vetes.
58-vjeçarja me inicialet F. G., ishte ulur në stolat pranë bashkisë kur ndërmori aktin ekstrem. Ishin disa kalimtarë të rastësishëm që i erdhën në ndihmë dhe fikën flakët.
Pavarësisht kësaj, gruaja nuk shpëtoi pa lëndime trupore. Ajo u dërgua me urgjencë në spitalin e Durrësit, ku ndodhet dhe në këto momente.
Teksa ishte në spital, gruaja ka treguar arsyen se përse e mori këtë veprim. Ajo tha se disa kohë më parë kishte marrë një kredi në një institucion financiar, dhe tani ishte duke u përballur me presione për të paguar.
Zonja thotë se zyrtarët që i dhanë kredi e kishin kërcënuar që në rast se nuk do të paguante, ata do ta dërgonin në gjykatë për t’i marrë dhe lekët e pensionit.
“Kam kërkuar ndihmë kudo, më bëjnë presion për një kredi, ka 6-7 muaj. Më morën nga mikrokredia që ta paguaja, ose paguaje ose do të çojmë në gjykatë dhe të heqim pensionin.
Po më detyroni të bëj një veprim që s’dua ta bëj, u thashë. Shkova një javë rresht te banka. Më mori një djalë i thashë s’kam mundësi ta paguaj, s’më intereson më tha. Kam borxhe të tjera, qira, kredi.
Kisha për të paguar 200 mijë lekë, për ilaçe e bukë më duheshin se bënin 250 mijë lekë ilaçet. 90 mijë lekë pension, nuk na del, jam me qira. I kam 600 mijë lekë edhe pronarit.
Ndaj dogja veten, më thanë që më kanë çuar në gjykatë. 1 milion pata marrë. Këtu bashkia s’na jep asgjë, pse na përçmojnë ne“, thotë zonja.
Zonja nga Durrësi mund të ishte viktima e radhës e mikrokredive. Kujtojmë se në muajin korrik të këtij viti, 63-vjeçari Pal Trashaj nga Lezha, konsumoi fostoksinë përpara ambienteve të SPAK, pasi ishte viktimë e skemave zhvatëse të mikrokredive.
Pak kohë më vonë, Olsi Ibro i dha fund jetës duke u vetë hedhur nga lartësia e një pallati. Olsi ishte pronari i një prej institucioneve të mikrokredive, MCA.
Pyetja që ngrihet sot është e thjeshtë: Edhe sa persona do të vrasin ‘skemat e kredive’ në këtë vend, që institucionet të zgjohen dhe të marrin masa?

Të fundit