Kryetari i Këshillit të Evropës, Sharl Mishel sot do të qëndrojë për vizitë pune në Maqedoninë e Veriut, ku do të ketë takime me përfaqësues të lartë të vendit, ku pritet të bisedojë për metodologjinë e re të negociimit, si dhe për rrjedhën e procesit reformues.
Presidenti Stevo Pendarovski do të jetë nikoqir i njeriut të parë të Këshillit evropian, i cili në vend do të vijë nga Tirana. Pendarovski dhe Mishel sot pasdite do të ketë takim tet-a-tet, ndërsa më pas do të mbajnë konferencë të përbashkët për shtyp.
Kryetari i Këshillit të Evropës, para rreth një muaji, në intervistë për disa gazeta evropiane, vlerësoi se deri në maj, kur do të mbahet Samiti BE-Ballkan në Zagreb, duhet të jetë e qartë se si do të duket reforma e BE-së dhe nëse ky do të ishte kusht formal për pëlqimin e Unionit t’i fillojë negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Vizita e njeriut të parë të Këshillit evropian, ndodhë rreth dhjetë ditë pasi që në Shkup udhëtoi eurokomisari për politikë fqinjësore dhe negociata për zgjerim, Oliver Varheji, i cili e konfirmoi perspektivën evropiane për Ballkanin Perëndimor dhe paralajmëroi se sërish do të kërkohet fillim i negociatave për Maqedoninë e Veriut, për çka do të vendosë Këshilli në mars. Varheji, gjithashtu, potencoi se sinjal i mirë për BE-në do të jetë edhe nëse ligji për Prokurorinë publike sillet para shpërndarjes së Kuvendit në shkurt.
Kryetarja e Komisionit evropian, Ursulla fon der Lajen javën e kaluar deklaroi se këto gjashtë muaj do të jenë kyç për marrëdhëniet mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dhe paralajmëroi se KE deri në fund të muajit pritet të dalë me metodologjinë e re për zgjerim, por dje zëdhënësja e Komisionit, Ana Pisonero i konfirmoi zërat se raporti për metodologjinë e re të negociatave nuk do të publikohet më 29 janar, siç pritej.
Pisonero porositi se KE asnjëherë zyrtarisht nuk ka kumtuar se raporti do të dalë më 29 janar dhe konfirmoi se nuk do të ketë raport me atë datë. Pritjet në qarqet diplomatike në Bruksel janë se metodologjia do të publikohet një javë më vonë, më 5 shkurt.
Raporti për metodologjinë e re të negociatave të BE-së në procesin e zgjerimit është një nga kushtet joformale të kërkuara nga ana e Francës, kusht të cilin e mbështesin edhe një sërë vendesh të tjera anëtare të BE-së.
Ajo shtoi se në prag të takimit të shefave të shteteve dhe qeverive të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Zagreb në maj do të publikohet edhe plani investues ekonomik për Ballkanin Perëndimor, qëllimi të cilit është të “intensifikohet prania” e BE-së në Ballkan, proces i cili do të jetë i dobishëm për të dyja palët. ab/