Gjatë një takimi me Forumin e Grave të Koalicionit VLEN në Kërçovë, kandidati për kryetar komune, Fatmir Limani, ka dhënë një deklaratë të fuqishme dhe të drejt për drejtë për një nga çështjet më të rëndësishme të qytetit: ndërtimin e Spitalit të Kërçovës – një projekt që është zvarritur për më shumë se katër dekada.
“Në 40 vjet, nuk e përmbylli dot askush. Asnjë president, asnjë ministër, asnjë kryetar. Nuk e bëri Titoja, nuk e bëri Gligorovi, as Gruevski, as Aliu, as Zaevi, e as Kovaçevski. Por atë do ta bëj unë, Fatmir Limani! Unë e kam mundësuar buxhetin si ministër, unë do ta realizoj si kryetar komune. Në bashkëpunim me qeverinë, spitali do të ndërtohet, dhe qytetarët e Kërçovës më në fund do të kenë shëndetësi dinjitoze, jo premtime boshe,” u shpreh Limani.
Limani theksoi se ky projekt nuk është vetëm një premtim elektoral, por një detyrim moral ndaj qytetarëve të Kërçovës. Në përmbyllje të fjalës së tij, ai u shpreh:
“Keni besën time si hipotekën më të mirë për premtimet e mia. Keni emrin tim si garanci.”
Ky premtim ka nxitur reagime të shumta pozitive në mesin e qytetarëve të cilët e vlerësuan këtë si një hap konkret drejt përmirësimit të jetës në Kërçovë.







