Qeveria në seancën e djeshme vendosi të mos ketë orë policore, pasi Komisioni për sëmundje infektive të hënën dorëzoi propozim deri te qeveria për orë policore në vendet ku ka numër më të madh të të infektuarve. Në vend të kësaj, i obligoi MPB-në dhe inspektoratet të kryejnë kontrolle të përforcuara në zonat me numër më të madh të të infektuarve të rinj nga koronavirusi. Qeveria gjithashtu vendosi që secili që do ta shkel masën për vetizolim do të sanksionohet me karantinë shtetërore.
Kontrolle dhe monitorim të përforcuar do të kryhen edhe në zonat e targetuara të qytetit të Shkupit dhe komunat në Qytetin e Shkupit, më pas në komunat përreth të Shkupit si Haraçina, Studeniçani, Ilindeni, Petroveci dhe Zelenikova, si dhe në komunat si Kumanova, Likova, Shtipi dhe Karbinci, Tetova dhe komunat e Tetovës si Bogovina, Bërvenica, Tearca, Zhelina dhe Jegunovci, ku është regjistruar numër më i madh i qytetarëve të rinj të infektuar.
Në pajtim me këtë konkludim, propozimi për vendosjen e masave restriktive do të shqyrtohet sërish në Komisionin për sëmundje infektive.
Në këtë drejtim, Qeveria i obligoi Ministrinë e Punëve të Brendshme, Këshillin inspektues dhe Policinë financiare të përgatisin plane të veçanta të veprimit për kontroll dhe për parandalim të lëshimit të masave për mbrojtje dhe sanksionim të çdo mosrespektimi të masave të sjella.
Qeveria gjithashtu konkludoi që Inspektorati shtetëror shëndetësor dhe sanitar në çdo vendim për izolim që do të sillet të qëndrojë se është i obligueshëm instalim i aplikacionit StopKorona për shkak të kontrollit më të madh me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit. Çdo shkelje e dispozitave nga vendimi për izolim do të sanksionohet me karantinë shtetërore.
“Nëse ndonjë person refuzon ta zbatojë vendimin për vetizolim, ose jep të dhëna të rrejshme personale dhe të dhëna të rrejshme lidhur me personat me të cilët ka pasur kontakt ditëve të fundit, ose nuk e zbaton masën e izolimit të rreptë në kushte të shtëpisë, i caktohet masë e izolimit të rreptë (karantinë) në kohëzgjatje prej 14 ditëve, në objekte të përcaktuara nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, për çka Ministria e Punëve të Brendshme sjell vendim, ndërsa shpenzimet për akomodim në ato objekte kompensohen nga ana e atij personi”, thuhet në dekretin qeveritar.
Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe të hënën në konferencë për shtyp tha se mosrespektimi i masave të mbrojtjes e solli në vend këtë valë të dytë të koronavirusit. Ai theksoi se analiza e grupimeve tregoi se pothuajse të gjitha rastet e reja janë të lidhura me një formë të mbledhjes ose festimit midis 23, 24 dhe 25 maj, saktësisht dy javë më parë, siç tregohet nga një analizë e hollësishme në pyetësorët epidemiologjikë.
Ai u bën thirrje qytetarëve që t’i respektojnë masat, pranë institucioneve kompetente për kontroll në zbatimin e masave, sepse çdo shkelje duhet të zbulohet dhe sanksionohet.
Qytetarët e të gjitha komunave në Qytetin e Shkupit, komunat përreth Shkupit, Haraçinë, Zelenikovë, Ilinden, Petrovec dhe Studeniçan, në Kumanovë, Likovë, Shtip, Karbincë, Tetovë, si dhe Bogovinë, Bërvenicë, Tearcë, Zhelinë dhe Jegunovcë ishin në karantinë 80 orëshe nga 4 qershori (të enjten e kaluar) nga 21:00 deri të hënën (8 qershor) deri në orën 5 të mëngjesit, për shkak të numrit më të madh të të sëmurëve me koronavirus në këto vende.
Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugareski dje deklaroi se është ende shumë herët për të vendosur për hapjen e aeroporteve. “Kjo temë është duke u diskutuar, por është ende herët për të marrë një vendim”, tha Sugareski.
Me vendim të Qeverisë, si masë për ta parandaluar përhapjen e koronavirusit, nga 15 marsi në mesnatë është mbyllur aeroporti “Shën Apostul Pali ”në Ohër dhe nga 18 marsi në mesnatë edhe Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit. ls/shk/