21/04/2024
4.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Nuk ka para në buxhetin për vitin 2021 për tetë inspektorë të ambientit jetësor, janë pranuar vetëm dy amendamente të Iniciativës O2

Në diskutimin për buxhetin për vitin 2021 në Komisionin për Financim dhe Buxhet janë pranuar vetëm dy amendamente të dorëzuara me rekomandim të Iniciativës O2. Bëhet fjalë për amendamentet për akreditim të laboratorit shtetëror, por vetëm për ekzaminimin e grimcave PM 10, si dhe amendamentet për përditësimin e Kadastrës së ndotësve dhe substancave ndotëse në ajër, transmeton Portalb.mk.

Propozimi i ambientalistëve që në buxhetin e vitit të ardhshëm të sigurohen mjete për punësim të tetë inspektorëve të ri për mjedis jetësor dhe pjesërisht plotësim të kapacitetit të Inspektoratit Shtetëror, ku me vite kanë mungesë të këtij lloji të kuadrit profesional, nuk është pranuar. Edhe pse thonë se kanë shpresuar më shumë, aktivitet nuk janë të befasuar nga trajtimi i çështjeve të ekologjisë kur bëhet fjalë për ndarjen e parave të shtetit.

“Me këtë buxhet për ambient jetësor nuk do të arrijmë askund edhe për një kohë të gjatë. Ministria e Ambientit Jetësor ka kërkuar për programe të ndryshme 33.4 milionë euro nga buxheti për vitin 2021, ndërsa Ministria e Financave i ka ndarë buxhet për 2.5 fish më pak, përkatësisht 13.6 mln euro. Për sistemin kolektor – Ohër janë ndarë 3.5 fish më pak para për mbulimin e borxheve për rrymë të “Proaqua”, në vend të 4.5, janë ndarë 1,3 mln euro, ndërsa për sanimin e sistemit kolektor në vend të 1.5 mln eurove të kërkuara, nuk janë ndarë aspak mjete. Janë shkurtuar mjetet edhe për hidro-sistemin e Liqenit të Dojranit, largimin e lindanit, stacionin e pastrimit në Jegonovcë dhe stacionin e pompës në Jugohrom, ku është kromi gjashtë valent kancerogjen… në këtë mënyrë problemet e ekologjisë nuk do t’i zgjidhim as deri në vitin 2050”, thonë ambientalistët.

Ata theksojnë se të gjithë amendamentet e refuzuara janë vlerësuar si konstruktiv, por mjetet që kërkohen për to kanë qenë shumë të larta, ndërsa në situatën aktuale nuk mund të parashihen me buxhetin për vitin e ardhshëm.

Ambientalistët theksojnë se refuzimi i propozimeve të tyre nuk do t’i dekurajojë, por i nxit të gjejnë mënyra të reja që t’i implementojnë projektet e ambientit jetësor. Në këtë drejtim, ata i kanë dërguar letër Qytetit të Shkupit dhe më shumë komunave që të furnizohen me filtra për amvisëri që përdorin lëndë djegëse fosile për ngrohje.

“Duhet të aktivizohen edhe komunat dhe të ndajnë mjete nga buxheti i tyre në projekte ekologjike dhe të kontribuojnë për uljen e ndotjes së ajrit. Në vendit tonë ka komuna ku buxheti për ambient jetësor është zero denar vite me radhë. Kjo është e palejueshme në kushte kur qytetet tona janë në top 5 më të ndotura në botë”, thonë nga Iniciativa O2.

Të fundit