19/05/2024
19.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

Nuk ndihem fajtor, tha menaxheri i “Besa Trans” për falsifikimin e licencës së autobusit nga aksidenti në Bullgari

Pas shtyrjes së parë në tetor, sot në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit filloi gjykimi në të cilin menaxheri i “Besa Trans”, Bekim Haxhiu dhe kompania si person juridik akuzohen për falsifikim të licencës për transport ndërkombëtar për autobusin me të cilin në nëntor të vitit të kaluar në aksident në Bullgari humbën jetën 45 persona, transmeton Portalb.mk nga 360 Gradë.

Bekim Haxhiu në daljen e tij para gjykatës tha se e kupton akuzën, por nuk ndihet fajtor.

“Nuk ndihem fajtor” , ka thënë Haxhiu.

Para se të jepte aktgjykimin, prokurori Vlladimir Milosheski e ka përshkruar aktakuzën sipas të cilës menaxheri i “Besa Trans” përmes shoferëve që vozisnin autobusin ka përdorur një ekstrakt licence që nuk është lëshuar fare nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Autobusi u largua 20 herë nga vendi vitin e kaluar nga 10 janari deri në aksidentin e nëntorit, me një ekstrakt të falsifikuar nga licenca për qarkullim ndërkombëtar, tha prokurori.

Në sallën e gjyqit, Millosheski lexoi të gjitha detajet e këtyre 20 kalimeve, me detaje për datën, orën, relacionet dhe pikën kufitare. Rrjedhimisht, autobusi që u dogj në aksident vitin e kaluar e ka kaluar “Deve Barë” më së shumti ose 10 herë dhe ka lëvizur në linjën nga Shkupi për në Stamboll. Ai është larguar nëntë herë jashtë vendit përmes vendkalimit “Bllacë” dhe më së shumti ka vozitur nga Shkupi për në Prizren apo Durrës dhe një herë autobusi ka kaluar edhe në vendkalimin “Qafë Thanë”.

Në sallën e gjyqit sot dëshmoi edhe përfaqësuesi i Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, e cila është përgjegjëse për dhënien e licencave, i cili sqaroi se kompania “Besa Trans” kishte licencë për transportin ndërkombëtar të lirë të udhëtarëve. Është një dokument që i referohet kompanisë dhe në bazë të tij lëshohen deklaratat e licencës për çdo automjet veç e veç. Sipas dëshmisë, Besa Trans kishte licenca për transport ndërkombëtar për pesë autobusë, por autobusi i aksidentit nuk ishte në mesin e tyre.

Teza e mbrojtjes, nga ana tjetër, është se nuk ka falsifikim të dokumenteve në çështje – vepër për të cilën akuzohet drejtuesi dhe kompania. Në një prononcim për media, avokati Asmir Alispahiq tha se nuk është e vërtetë që është përdorur dokument i rremë, gjegjësisht pretendon se as nuk është bërë dokument i rremë dhe as nuk është ndryshuar licencë ekzistuese për t’u përdorur si e vërtetë. Siç pretendon mbrojtja, janë përdorur licencat origjinale. I pyetur se si autobusi ka udhëtuar vetëm me patentë, dhe pa certifikatë për mjetin konkret, ai ka thënë se organet hetuese duhet të mbajnë përgjegjësi se si e kanë lejuar doganierët.

“Kjo është një pyetje për autoritetet hetimore, si e kaloi kufirin automjeti që fatkeqësisht mori flakë në Bullgari një vit më parë? Në situatën konkrete kemi një përshkrim dhe akuzë ku akuzohemi për falsifikimin e një dokumenti. Në këtë situatë, i akuzuari as nuk ka bërë një të rreme dhe as ka ndryshuar një ekzistuese për ta përdorur atë”, ka thënë Alispahiq.

Kur është fjala për doganierët në vendkalimet kufitare të cilët kanë qenë të ngarkuar për kontrollin e ekstrakteve nga licencat, nga ana tjetër, Prokuroria Publike e Shkupit kur ka paraqitur propozim aktakuzën për menaxherin në shtator të këtij viti, ka deklaruar se provat për ta do t’i dorëzonte në Departamentin e specializuar për ndjekjen e krimeve të kryera nga persona me kompetenca policore dhe pjesëtarë të policisë së burgjeve pranë Prokurorisë Publike Themelore për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Aksidenti në fjalë, ndodhi më 23 nëntor të vitit të kaluar në orët e para të mëngjesit, kur autobusi “Besa Trans”, i cili po kthehej nga Stambolli me turistë, u përplas në rrethojën e autostradës Struma, në afërsi të fshatit bullgar Bosnek, mes të vdekurve ishin 12 fëmijë, ndërsa shtatë mbijetuan.

Të fundit