Tre doktorët onkolog të dyshuar për veprën penale bashkëpunëtor në mashtrim me terapitë e shtrenjta kundër kancerit, sot rifilluan punën sikurse nuk ka ndodhur asgjë, shkruan Alsat.
Gjykata vendosi që Meri Peshevska, Simonida Crvenkova dhe Dragan Jakimovski dy ditë pas arrestimit nga policia të hetohen të lirë.
Nga Prokuroria Publike thanë se hetimi do të zgjerohet, duke mos përjashtuar stafin mjekësor dhe administrativ, kompanitë farmaceutike që kanë bërë furnizimet me barnat biologjike si dhe Fondin e sigurimeve shëndetësore.
Pasi të kompletohen gjitha dëshmitë, do të pasoj formimi i aktakuzës, të cilën do ta dorëzojnë në Gjykatën Penale.
“Procedura hetimore sapo ka filluar dhe ka të ngjarë që hetimi të zgjerohet pasi të marrim rezultatin e dosjeve të Fondit shëndetësor, raporte të cilat janë dërguar për ekspertizë në Slloveni, nga ekspert juridiko-mjekësor. Nga Fondi janë realizuar pagesat e tenderëve të barnave tek furnizuesit me vulë dhe firmë të personave të dyshuar, të cilët kanë përsëritur veprën penale së paku 7 herë gjatë periudhës së hetuar”, tha Prokuroria Publike.
Alsat mëson se dje në stacionet policore janë shoqëruar edhe sekretarja e klinikës Elena Gjonova, shoferi i klinikës Spiro Dameski dhe infermierja Slavica Spasovska të cilët janë marrë në bisedë informative dhe ndaj tyre po bëhet një kontrollim financiar, por edhe këta tre pa asnjë shqetësim sot u paraqitën në punë.
Ndërkohë në Klinikën e Onkologjisë, të gjithë të tjerët erdhën në punë, përpos të dyshuarit Nino Vasev. Ish drejtori medicinal me vendim të gjykatësit të procedurës paraprake i ndalohet puna në Klinikë, por sipas ligjit atij do ti ecën gjysma e rrogës deri sa të mos ketë një vendim të plotfuqishëm gjyqësor.
Madje nga Klinika thonë se për pak muaj del në pension të rregullt, që nënkupton se karriera e tij prej onkologu ka përfunduar.
“Jo vetëm që jemi të gatshëm por edhe të obliguar të bashkëpunojmë me prokurorinë në këtë rast dhe deri më tani çdo dokument që na është kërkuar iu kemi përgjigjur në kohë rekorde. Sa ju përket kompanive farmaceutike çdo pagesë bëhet në rregull. Jemi në fazën e përpilimit të buxhetit, për terapitë biologjike për vitin 2024 janë paraparë 1,47 miliard denarë, kurse buxheti total i klinikës është 2 miliard denarë”, theksoi Halid Matoshi, drejtor organizativ i Onkologjisë.
Sipas autoriteteve të ndjekjes 5 personat dyshohet se kanë përfituar rreth 1,8 miliard denarë apo rreth 29,5 milion euro për këto vite që është hetuar rasti në Kliniken e Onkologjisë. Kjo nënkupton se për 6 vite, dëmi ka arritur në vlerën e një buxheti vjetor të Onkologjisë vetëm për terapitë.
Ata thonë se nga bashkëpunimi rajonalë në para hetim, Prokuroria e Kosovës nuk ka gjetur asnjë dyshim që terapitë e vjedhura nga Klinika Onkologjisë të kenë përfunduar tek pacientët shtetas të Kosovës. Në periudhën 2017-2022 drejtorët në bashkëpunim me doktorët kanë shkruar dy fish më shumë terapi të shtrenjta në emër të pacientëve me kancer.
Akoma nuk është vërtetuar ku janë shitur ato, por që në treg të zi kushto 4-5 mijë euro për një dozë mujore./ Alsat.mk