01/03/2024
9.2 C
Tetovo

Të tjera lajme

Opozita shqiptare kritikon BDI-në: “Po bllokon mjetet financiare në komunat që i menaxhon opozita”

Përmes një konference për media Lidhja Europiane për Ndryshim ka akuzuar BDI-në se koordinohet me partitë maqedonase për të goditur kryeqendrat shqiptare.

”E liga e BDI-së nuk ka fund. Vetëm për të mbetur në pushtet, janë të gatshëm ti lënë të pazhvilluara dhe ti varfërojnë edhe më tepër vendbanimet shqiptare, të bllokojnë të gjitha investimet e mundshme dhe të gjitha paratë e buxhetit ti dërgojnë vetëm në komunat maqedonase.

Dje deputetët e BDI-së, në bashkëpunim me deputetët e LSDM-së, VMRO-DPMNE-së, Aleancës për Shqiptarët dhe Levicës ndanë një miliardë denarë, thuajse për të gjitha komunat, kryesisht ata të VMRO-DPMNE-së, por votuan kundër ndarjes së projekteve në dy kryeqendrat e shqiptarëve, në komunën e Tetovës dhe në komunën e Çairit.

Imagjinoni, BDI dhe partitë tjera shqiptare në pushtet, vazale ndaj LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së bllokuan 15 milion denarë për Komunën e Tetovës, për realizimin e Projektit i cili parashikon që në Lumin Shkumbin të vendosen rrethoja mbrojtëse dhe rregullim i shtratit të lumit.

Deputetët shqiptar të pushtetit, si nënshtrues ndaj partive maqedonase, nuk mbështetën edhe projektin e Komunës së Çairit, në vlerë prej 12 milion e 700 mijë denarë me të cilin parashikohet rikonstruimi i rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit atmosferik dhe fekal në lagjen Dizhon në Çair.

Që opinioni ta ketë më të qartë, nga një miliardë denarët e mbetura në Buxhet si të parealizuara, të cilat iu ndanë komunave, në bazë të numrit të popullsisë, Komunës së Tetovës dhe Komunës së Çairit, i kanë takuar 1.5 milion euro, por edhe pse për dy projektet e lartëpërmenduara, këto Komuna kërkuan shumë më pakë para, rreth 450 mijë euro, deputetët e BDI-së dhe partnerëve të tyre në pushtet nuk ua shpërndanë atyre.

Paramendoni, derisa pushteti shpërndan mjete të mbetura të Buxhetit në të gjitha komunat në vend, BDI bllokon projektet në dy kryeqendrat shqiptare, në Çair prej ku e ka zëvendëskryministrin e parë Artan Grubi dhe në Tetovë prej ku është ministri i Financave, Fatmir Besimi.

Kjo është fytyra e vërtetë e BDI-së, e cila është e gatshme që të gjitha investimet ti bëjë në komunat maqedonase, madje edhe të bashkëpunojë me ata të cilët vazhdimisht i quan si e keqja e shtetit, vetëm për të mbetur në pushtet. Por zgjedhjet do të vijnë së shpejti, e me çfarë fytyre, BDI, Artan Grubi, Fatmir Besimi dhe të tjerët do të dalin dhe do të kërkojnë votat e shqiptarëve në Tetovë dhe Çair” – thuhet në press konferencën e Lidhjes Europiane për Ndryshim./shenja.tv/

Të fundit