26/05/2024
13.5 C
Tetovo

Të tjera lajme

Osmani para Këshillit të Sigurisë: Tërheqje të menjëhershme të forcave ushtarake ruse nga territori i Ukrainës

Në ditën kur bota shënon një vit nga invazioni rus në Ukrainë, kryetari i OSBE-së, ministri Bujar Osmani iu drejtua Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara në debatin e hapur për Ukrainën me temën “Forcimi i përgjegjësisë dhe drejtësisë për shkeljet e së drejtës ndërkombëtare”.

Ky debat i hapur vjen pas Seancës së djeshme të 11-të Speciale Emergjente të Kuvendit të Përgjithshëm të OKB-së, ku edhe Kryesuesi Osmani e mbajti fjalimin e tij. Në seancën e OKB-së u miratua Rezoluta e Drejtësisë dhe Paqes së Përhershme. Në këtë kontekst, para Këshillit të Sigurisë, Osmani theksoi se Maqedonia e Veriut e mbështet këtë rezolutë dhe është ndër bashkësponzoruesit kryesorë të saj. Ai tha se për të ruajtur paqen dhe sigurinë, nevojitet veprim maksimal për t’iu përmbajtur të drejtës ndërkombëtare dhe të drejtës ndërkombëtare humanitare.

Në fjalimin e tij, ai iu referua edhe një herë mbështetjes sonë për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës, brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht. Ai fajësoi Rusinë për sulme të vazhdueshme në zonat urbane, duke i lënë civilët dhe qytetet pa qasje në nevojat themelore njerëzore.

“Hetimet e deritanishme në shumicën e qyteteve të sulmuara në Ukrainë çojnë në përfundimin se janë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”, tha Osmani, duke iu referuar abuzimit seksual dhe dhunës ndaj grave dhe vajzave, që është shkelje e rëndë e të drejtave ndërkombëtare të njeriut dhe e të drejtës ndërkombëtare humanitare.

“Autorët e këtyre krimeve duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të dalin para drejtësisë”, ka theksuar Osmani. Ai theksoi se si Kryesues dëshiron të theksojë Mekanizmin e Moskës të OSBE-së si një burim i rëndësishëm, për të përcaktuar faktet për krimet e mundshme të luftës dhe krimet kundër njerëzimit. Kjo është me qëllim që krimet e kryera të paraqiten para mekanizmave përkatës të llogaridhënies, si dhe para gjykatave apo tribunaleve ndërkombëtare, – tha Osmani.

“Ne ndajmë qëndrimin se Gjykata Ndërkombëtare Penale është pjesë përbërëse e arkitekturës shumëpalëshe që e mbështet sundimin e së drejtës. Është institucion qendror në luftën kundër mosndëshkimit dhe kërkimit të drejtësisë”, tha Osmani në fjalimin e tij.

Ai shtoi se e mbështet plotësisht hetimin e nisur nga Prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe përshëndeti masat e përkohshme të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që urdhërojnë Rusinë të ndërpresë menjëherë operacionet ushtarake.

Osmani gjithashtu bëri thirrje për përdorimin e plotë të mekanizmave ekzistues për të drejtat e njeriut si kyçe për mbështetjen e proceseve të llogaridhënies, duke folur këtu për Këshillin e të Drejtave të Njeriut. Ky Këshill, në pajtim me procedurat e tij të veçanta, duhet t’i hetojë shkeljet dhe abuzimet e të drejtave të njeriut dhe krimet e lidhura me të në kontekstin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Në fund të fjalimit të tij, Osmani i bëri thirrje Federatës Ruse t’i japë fund luftës dhe përsëriti kërkesën për ndërprerjen e menjëhershme të agresionit ushtarak kundër Ukrainës, si dhe tërheqjen e plotë dhe të menjëhershme të forcave të saj nga territori i Ukrainës.

“Ne duhet të rivendosim paqen dhe përgjegjësia duhet të mbizotërojë!” Ata që kanë kryer krime duhet të dalin para drejtësisë”, ka përfunduar Osmani.

Të fundit