17/05/2024
15.5 C
Tetovo
Ballina Blog Faqe 1805

Aeroplanë po shuajnë zjarret në rrethinën e Kërçovës

Disa zjarre janë aktivizuar në pjesën perëndimore të komunës së Kërçovës. Tani për tani fshatrat e këtij rajoni nuk janë në rrezik.

Nga komuna e Kërçovës njoftojnë se është aktivizuar shtabi vendor për kriza, ndërsa për t’u vepruar në mënyrë efikase, ekipet kundër zjarrit janë në terren dhe punojnë pa ndalë dhe janë angazhuar edhe aeroplanë për shuarjen e zjarrit.

Ekipet mobile janë ende në terren dhe ju bëjnë apel qytetarëve të mos ndezin zjarr në hapësira të hapura për shkak se pasojat janë të mëdha. Ata theksojnë se faktori njeri është shkaktar i zjarreve.

Përkundër terrenit të vështirë dhe të paarritshëm, situata është nën kontroll dhe ekipet mbeten në terren për ta mbikëqyrur situatën, thonë nga komuna e Kërçovës.

22 vjet pa të dashurin tonë Profesor Nakil Abdiu 24.02 1939 – 07.03.1997

22 vjet pa të dashurin tonë
Profesor Nakil Abdiu
24.02 1939 – 07.03.1997
Sa herë vjen 7 marsi, dita e shenjtë e mësuesit, ne të kujtojmë me mall.Kjo ditë e
veçantë për të gjithë, neve na bën krenarë sepse ti ishte një misionarë që ndriçoje
rrugën brezave të rinj.Dita e mësuesit përveç krenarisë për ne është edhe ditë
pikëllimi sepse të humbën njëherë e përgjithmonëm por jo edhe për të harruar
personalitetin tëndë si prind, familjarë dhe mësues.
E përkujtojnë:Fëmijët, nipërit, mbesa dhe e tërë Familja Abdiu nga fshati Bogovinë-
Tetovë

Ja çka thotë pol*iicia për tragjjedinë që tronditi Tetovën

Mbrëmë (2-mars) rreth orës 23 e 55 minuta, në Stacionin policorrë Tetovë, është denoncuar se në objekt hotelerik në rrugën 29- nëntori në Tetovë, L.D. 46- vjeç nga Tetova, ka shtyr me armë zjarri ndaj personit A.A. nga Tetova, ku me të së bashku në njërën nga tavolinat kanë qëndruar ulur edhe disa persona tjerë dhe kanë pirë pije.

Personi L.D. është dorëzuar vetë në Stacionin Policorë, kurse lidhur me rastin janë privuar nga liria edhe dy persona, kurse një tjetër është paraqitur vetë në Stacion.

Me urdhër të prokurorit publik, trupi i të ndjerit A.A. është dorëzuar për obduksion, dhe punohet në dokumentimin e plotë të rastit.

30 doktorë të shkencave dhe 802 magjistra presin punësim në Maqedoni

0

Duket se nepotizmi s’është problemi kryesor gjatë punësimit në vendin tonë. Ka njerëz të gabuar në punë pa kualifikim të duhur.

“Mund të tingëllojë qesharake por keni, në reparte për çështje juridike të inxhinierë bujqësorë të diplomuar – dega lulishte, ndërtimtar. Në repartin për planifikimin e furnizimeve publike keni profesor të diplomuar për mbrojtje. Në repartin e punëve për punë normative të përgjithshme, keni një aktor, një tregtar, një muzikant dhe një specialist i diplomuar i turizmit”, thotë Dragi Raskovski.

Dy vite më vonë ministri Damjan Mançevski thotë se ata janë parti e majtë dhe nuk do të heqin njerëz nga puna, për shkak se kanë përvojë. Por, pyetja është ku bazohet eksperienca e kultivuesit të luleve në çështjet ligjore nëse nuk ka bazë, ndësa doktorët e shkencës dhe magjistrat ikin nga shteti apo presin punësim në Agjencinë për punësim.

Tek Agjencia për punësim janë regjistruar 105.658 persona të papunë ku 802 prej janë magjistra ndërsa 30 janë doktorë të shkencave.

“Kur flasim për doktorë të shkencave, me siguri janë njerëz që nuk kanë pasur përvojë pune. Kur nisni pa asnjë përvojë pune në administratë ju duhet të filloni nga niveli më i ulët. Ky është ligji”, thotë Mançevski.

Shqiptarët dhe zgjedhjet presidenciale

0

Xhelal Zejneli

Thuhet se me të hyrë në fuqi Ligji për përdorimin e gjuhëve, rrumbullakohet edhe implementimi i Marrëveshjes së Ohrit.

Po qe se Marrëveshja e Ohrit qenkësh implementuar tërësisht, atëherë del se faktori politik shqiptar në Maqedoni, paska mbetur pa kauzë. I mbetur pa kauzë, faktori politik shqiptar e ka vështirë të veprojë në skenën politike. Përse?! Për arsye se shqiptarët në Maqedoni i ka mbajtur të mobilizuar kryesisht kauza kombëtare apo çështja kombëtare.

Historia dëshmon se popujt vihen në veprim për objektiva politikë, kryesisht kur janë të robëruar. Shqiptarët në Jugosllavi, që nga viti 1912 e këndej, kanë qenë të robëruar. Si të tillë, më tepër se një shekull, shqiptarët kanë qenë të mobilizuar rreth kauzës kombëtare.

Implementimi “i plotë” i Marrëveshjes së Ohrit, duket sikur i lë shqiptarët pa kauzë. Si pasojë, mobilizimi apo veprimi i shqiptarëve për objektiva kombëtarë, mund të shënojë rënie.

I mbetur pa kauzë, faktori politik shqiptar e ka vështirë t’i mobilizojë qytetarët për veprime politike.

Popujt e robëruar janë mësuar të mobilizohen rreth çështjeve të mëdha apo rreth ideve madhore. Ide madhore për popujt që duan liri, në radhë të parë janë idetë kombëtare. Kur në një moment historik, idetë e mëdha realizohen, ato edhe fillojnë të shteren. Shterja e tyre ndërkaq shpie në çmobilizimin e masave popullore.

Mund të ketë individë apo grupe politike për të cilët kauza shqiptare në Maqedoni nuk ka marrë fund. Të tillët do të kërkonin ndryshimin e flamurit të shtetit, të himnit të shtetit apo të stemës së shtetit.

Mund të ketë të tillë që do të kërkonin federalizimin e Maqedonisë, të tillë të cilët do të kërkonin që shqiptarëve në Maqedoni t’u njihet statusi i popullit shtetformues.

Mund të ketë edhe nga ata që do të kërkonin që Maqedonia të jetë shtet me dy entitete: me entitetin shqiptar dhe me entitetin sllavo-maqedonas.

Mirëpo, nuk duhet harruar se sipas qendrave politike shqiptare të vendosjes – Tiranës dhe Prishtinës, si dhe qendrave politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtonit dhe Berlinit, me implementimin “e plotë” të Marrëveshjes së Ohrit, shqiptarët në Maqedoni vështirë mund të shtrojnë kërkesa të reja që nuk kanë qenë të parashikuara me Marrëveshjen e Ohrit.

Kërkesa jashtë Marrëveshjes së Ohrit, shqiptarët mund të paraqesin vetëm në momente historike të reja si dhe në rrethana historike të reja që mund të lindin apo të shfaqen pas 30 vjetëve apo pas gjysmëshekulli.

* * *

Shqiptarët në Maqedoni nuk kanë pasur potencial të mjaftueshëm politik dhe intelektual që kërkesat primordiale të veta t’i realizonin në vitin 1991, përkatësisht në vitet ’90 të shekullit XX.

Për ta realizuar të drejtën e përdorimit të gjuhës amtare, shqiptarët “vepruan”, d.m.th. pritën plot 28 vjet.

Si rrjedhojë e zvarritjes dhe e pritjes së pafund, shqiptarët nuk u entuziazmuan gjithaq nga realizimi i së drejtës së përdorimit të gjuhës amtare. Megjithëkëtë, kaluam më mirë se Estragoni i cili vazhdon të presë Godonë në teatrin absurd beketian.

Asgjë në histori nuk ka mundur të ndodhë ndryshe, përpos siç ka ndodhur.

Si pasojë e pritjes së pafund të sendërtimit të të drejtave kombëtare themelore, shumë të rinj shqiptarë i lanë vatrat e veta dhe morën në sy rrugët e botës.

Që nga viti 1945, Maqedonia u ndërtua si shtet i nacifikuar sllavo-maqedonas. Edhe në periudhën e pluralizmit, Maqedonia mbeti shteti më i nacifikuar i rruzullit tokësor.

Sot po flitet për një frymë të re në këtë vend. Po qe se vërtet po ndërtohet një frymë e re, atëherë një prej punëve të para që duhet të bëhet në Maqedoni, është denacifikimi i saj dhe respektimi i përbërjes dyetnike të saj.

Ndonëse i mbetur pa kauzë, faktori politik shqiptar nuk do të thotë se s’ka ç’ka t’i ofrojë popullit. Tani nëpër tubimet që do të mbaheshin në ndonjë klasë të shkollës së katundit, partitë politike mund t’u premtojnë qytetarëve investime nga jashtë, ndërtim fabrikash dhe çelje të mijëra vendesh pune, pa harruar të shtojnë se ishin pikërisht ato që e futën vendin në NATO. Nëpër këto tubime dhe takime të mbajtura në salla fizkulture dhe në çajtoret e lagjeve, partitë politike do të kenë rastin e papërsëritshëm për t’i amplifikuar arritjet e veta të deritashme.

* * *

Është thënë nga shumë politikanë dhe analistë se hyrja e Maqedonisë në NATO është interes strategjik i këtij vendi, e sidomos i shqiptarëve. Hyrja e këtij vendi në Aleancën Veri-Atlantike, e parandalon penetrimin e Rusisë në këtë pjesë të gadishullit. Tani Rusisë i mbetet vetëm Serbia dhe Republika Serbe e Bosnjën dhe Hercegovinës.

Duke qenë se hyrja e Maqedonisë në NATO u prolongua sa s’bën, rrjedhimisht, aderimi i saj në këtë organizëm nuk ngjalli ndonjë entuziazëm të madh ndër qytetarët e saj.

Ky ishte një akt i vonuar dhe i stërvonuar. Hyrja e Maqedonisë në NATO duhej të ishte bërë para nja 20 vjetëve. Përgjegjësia për këtë vonesë i takon të ashtuquajturës klasë politike të Maqedonisë, d.m.th. faktorit politik sllavo-maqedonas si dhe faktorit politik shqiptar.

Përgjegjësia për këtë vonesë u takon edhe qendrave politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtonit dhe Berlinit. Shkupi me Athinën bashkë, nuk kanë qenë më të forta se Uashingtoni dhe Berlini.

* * *

Kohët e fundit është folur në Maqedoni për nepotizmin. Duhet thënë se nepotizëm në Maqedoni ka pasur që nga vitit 1991 e deri në ditët tona. Nepotizëm ka pasur, si në organet e pushtetit vendor, ashtu edhe në organet e pushtetit qendror. Nepotizmin e kanë zbatuar të gjithë partitë politike që kanë qenë në pushtet, si partitë politike sllavo-maqedonase, ashtu edhe partitë politike shqiptare. Maqedonia është një ndër vendet me administratë vendore dhe qendrore më të stërngarkuar në Evropë, në mos dhe në botë. Me një administratë përmasash gjigante, nuk mund të hyhet në BE.

Krahas nepotizmit, në 28 vitet e kaluara, partitë politike, si ato shqiptare ashtu edhe ato sllavo-maqedonase, kanë kryer politizimin dhe partizimin e skajshëm të institucioneve publike, si të nivelit vendor, ashtu edhe të nivelit qendror. Partitë politike i kanë punësuar pa kritere profesionale dhe morale ushtarët dhe militantët partiakë, shumë prej tyre – diletantë.

* * *

Së shpejti në Maqedoni do të mbahen zgjedhjet për kryetar shteti. Kryetari i përtashëm – Gj. Ivanovi dy herë është zgjedhur me votat e shqiptarëve. Herën e parë, me votat e BDI-së, ndërsa herën e dytë me ato të PDSH-së. Ndonëse u zgjodh me votat e shqiptarëve, Ivanovi e refuzoi dhe e injoroi çdo kërkesë të shqiptarëve.

Nuk ka asnjë dyshim dhe kurrfarë hamendjeje se do të kishte qenë më mirë që faktori politik shqiptar në këto zgjedhje të dilte me një kandidat të përbashkët – shqiptar. Me një kandidat shqiptar, të mbështetur nga tërë spektri politik shqiptar, faktori shqiptar në Maqedoni do të kishte mundësinë të manifestonte forcën e vet politike.

Lidhur me zgjedhjet për kryetar shteti, faktori politik shqiptar duhet të ketë parasysh se:

– një pjesë e shqiptarëve janë të zhgënjyer nga veprimet dhe nga sjelljet e BDI-së dhe të PDSH-së, pa harruar këtu edhe dështimet e PPD-së;

– një pjesë tjetër e shqiptarëve mund mos të jenë të gatshëm të votojnë për një kandidat sllavo-maqedonas;

– një përqindje tjetër e shqiptarëve mund të demotivohen për mosdaljen e faktorit politik shqiptar me një kandidat të përbashkët;

– shumë shqiptarë ndërkaq, janë të lodhur nga proceset politike, të përshkuara me turbulenca, etiketime dhe polarizime ndëretnike dhe brendaetnike, e që zgjasin plot 28 vjet, pa kurrfarë rezultati ekonomik për shqiptarët;

Proceset politike në Maqedoni janë të vonuara dhe kjo ka lënë pasoja të pariparueshme. Shpërnguljet në masë të të rinjve janë rezultante e proceseve politike të zvarritura dhe të prolonguara deri në pafundësi.

* * *

Mbështetja e kandidatit të LSDM-së nga BDI-ja apo nga PDSH-ja dhe Alternativa , nuk shkon në favor të këtyre partive. Përkundrazi, shkon në dëm të tyre.

Duket sikur BDI-ja mbështet opsionin e krijimit të shtetit qytetar.

Maqedonia kurrë s’ka për të qenë shtet qytetar. Ajo është shtet dyetnik, shqiptar dhe sllavo-maqedonas dhe e tillë do të mbetet deri sa të mos lindin rrethana të reja historike për ripërkufizimin eventual të hartës politike të gadishullit.

Ka LSDM-istë që thonë se duhet punuar në ndërtimin e shtetit qytetar. Këta mbase vërtet duan shtet qytetar, por me dominimin e plotë të tyre. Ata duan shtet qytetar në të cilin shqiptarët do të kishin vetëm 1% pushtet, aq sa kanë sot, sidomos në lëmin ekonomik, financiar apo bankar.

* * *

Mbështetja e kandidatit të LSDM-së, përkatësisht mbështetja e Stevo Pendarovskit prej votuesve shqiptarë, sidomos në raundin zgjedhor të dytë, do të ishte në funksion të parandalimit të fitores së kandidates së VMRO-së, parti kjo skajshmërisht antishqiptare.

Fitorja eventuale e kandidates së VMRO-së në zgjedhjet për kryetar shteti, do të shënonte për Maqedoninë hap prapa dhe do të vinte në dyshim legjitimitetin e Marrëveshjes së Prespës. VMRO-istët do të brohoritnin se referendumi për ndërrimin e emrit të shtetit, nuk ka kaluar.]

Marrëveshjes së Prespës i nevojitet, jo vetëm legjitimiteti i fituar në procedurën parlamentare, por edhe legjitimiteti popullor.

Fitorja e kandidatit të LSDM-së, i cili tani promovohet si kandidat konsensual, përballë kandidates së VMRO-së, do të ishte në funksion të zbatimit të reformave, si conditio sine qua non për fillimin e bisedimeve për integrimin e Maqedonisë në BE, në qershor të vitit në vazhdim.

Pjesë e reformave është edhe Ligji – në fuqi – për përdorimin e gjuhëve.

Duhet shtuar se me VMRO-në antishqiptare kanë bashkëqeverisur, PDSH-ja në vitet 2006-2008, e sidomos BDI-ja në vitet 2008 e këndej.

* * *

Dy partitë e reja, Aleanca për Shqiptarët dhe Besa, hiqen apo veprojnë sikur kanë kauzë, për dallim nga BDI-ja dhe PDSH-ja, të cilat kanë mbetur pa kauzë.

Madje, Aleanca për Shqiptarët dhe Besa paraqiten edhe si mbartës të vetëm të kauzës, hiç më pak se të kauzës kombëtare. Po qe se këto dy parti politike nuk qëndrojnë përballë BDI-së, atëherë ato lehtë mund të shndërrohen në bishta apo në nëndegë të saj.

Por nuk duhet harruar se një grup politik që është nusprodukt i vonuar i partisë nënë, mund t’ia dalë të jetë edhe pjesë e bashkëlidhjes qeverisëse, por vështirë mund ta zgjidhë çështjen shqiptare.

Dorasit e vra**es në Tetovë, dorëzohen në polici

Prokurori Publik i Prokurorisë Themelore-Tetovë bashkë me një ekip të MPB-së deri në orët e hershme të mëngjesit kanë kryer ekspertizë në një objekt në rrugën 29 nëntori në Tetovë, ku mbrëmë rreth orës 23:50 minuta u vra një person, përcjellë gazeta KOHA.

Prokurori ka dhënë urdhër për grumbullimin e gjurmëve në vendngjarje si dhe gëzhojës që është gjetur në vendin e krimit. Ndërkohë që është dhënë urdhër edhe për obduksionin e trupit të viktimës.

Vrasja ka ndodhur derisa në një tavolinë në objektin në fjalë bashkë kanë qenë ulur 5 persona dhe kanë konsumuar alkool. Në një moment, kryerësi i vrasjes ka nxjerr revolen dhe ka shtënë ndaj njërit prej personave, duke i shkaktuar kështu vdekjen e menjëhershme. Pas këtij akti grupi është dhënë në arrati, por që më vonë dy prej tyre janë ndaluar nga policia, ndërsa dy të tjerët përfshi edhe aktorin e vrasjes vetë janë dorëzuar në polici.

Pendarovski flet rreth kandidaturës së tij

0

Kandidati i përbashkët mes dy partive në pushtet LSDM dhe BDI, Stevo Pendarovski nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook” shkruan se është nder të jesh i mbështetur nga përfaqësues të të gjitha bashkësive etnike dhe nga qytetarë që aspak s’janë anëtarë të partive politike.

“Dua të falënderoj koalicionin politik, të udhëhequr nga LSDM dhe personalisht kryeministrin Zaev, që bënë lëvizje të pashembullt politike, pas pesë viteve të më japin mundësi përsëri të hyj në garën për kryetar shteti”, shkruan Pendarovski, njofton Telegrafi Maqedoni.

Të nderuar qytetarë, shton Pendarovski, dje më keni dhënë një përgjegjësi të madhe politike, që në muajt dhe vitet që vijnë, synoj së bashku me gjithë ju, ta arsyetoj në mënyrë të plotë, në interes të jetesës më të mirë dhe më të lumtur për të gjithë në vendin tonë.

RDK e Vesel Memedit mbështet Pendarovskin

0

Nëpërmjet një njoftimi të Rilindjes Demokratike Kombëtare thuhet se “RDK mbështet kandidatin konsensual”.

“Në mbledhjen e Kuvendit qendror të Rilindjes Demokratike Kombëtare të mbajtur sot në zyrat e partisë, me unanimitet të plotë u konfirmua mbështetja për kandidatin konsensual për zgjedhjet presidenciale të Maqedonisë së Veriut”, thonë nga RDK.

Ata shtojnë se RDK me kontributin e saj modest, që nga organizimi i zgjedhjeve kuvendare të vitit 2016, punoi me urtësi të lartë në formimin dhe krijimin e një shumica kuvendare që do të rezultoi në formimin e koalicionit qeveritar, që mori mbi vete barrën historike të ndryshimeve kushtetuese, kompromiseve të mëdha, barazisë gjuhësore, dhe investimit të madh kapital drejt NATO-s dhe BE-së.

“Edhe pse ishim pakicë, dhe u sulmuam ashpër nga të gjitha anët, RDK qëndroi paluhatur, me të vetmin qëllim që të mos lejojë proceset të kthehen mbrapsht, por të shkojnë në drejtimin e duhur të interesit kombëtarë”, thonë nga kjo parti.

“RDK vlerëson se mbështetja e kandidatit konsensual ndodh për herë të parë në historinë e Maqedonisë së Veriut, dhe kjo kandidaturë ka kuptim të përkrahet dhe të votohet sepse nënkupton pranim të barabarësisë të të gjithë qytetarëve të vendit. Votimi pro kandidatit konsensual, është dëshmia më e fortë që jep legjitimitet të përhershëm të Marrëveshjes së Prespës, ndryshimeve kushtetuese, si dhe ligjit për përdorimin e gjuhëve. Votimi kundër kandidatit konsensual, ose abstenimi, nuk është asgjë tjetër përpos tentim për të deligjitimuar arritjet e deritanishme, për të deligjitimuar Marrëveshjen e Prespës, ligjin për përdorimin e gjuhëve, ndryshimet kushtetuese dhe barabarësinë e plotë të të gjithë qytetarëve” , thuhet në njoftimin e kësaj partie.

“RDK vlerëson se është momenti historik që shqiptarët, bashkërisht me qytetarët e nacionaliteteve më të vogla, të përkrahin fuqimisht kandidatin konsensual, që deklaron haptas se pranon të jetë kryetar i gjith qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, dhe t’u jepet fund një herë e përgjithmonë, kandidatëve që angazhohen të kenë përkrahjen e vetëm një etnie, kurse të tjerët t’i shndërrojnë në argat të tyre për të pasur shumicën, siç ka ndodhur në të kaluarën. Si përfundim i gjithë kësaj, nuk ka dilemë se këto zgjedhje presidenciale, një herë e përgjithmonë do të pastrojnë rrugën e secilit kamp që ka vepruar në skenën politike, që nga dita e parë e pluralizmit në vend”, thuhet në fund të njoftimit RDK-së.

Riker javën tjetër vjen në Shkup

0

Ambasadori i mëparshëm i SHBA-ve në vend Filip Riker, tani ndihmës sekretar shtetëror për Evropën Juglindore në Departamentin Shtetëror, vjen të hënën në Shkup, shkruan Nezavisen.

Kjo është vizita e tij e parë në rajon pas paralajmërimit se do të emërohet në pozitën e sekretarit shtetërorë për Evropën dhe Euro Azinë, nga e cila pozitë u tërhoq në fillim të vitit eksperti, Ves Miçel.

Në kuadër të qëndrimit të tij është paraparë takim me kryeministrin Zoran Zaev dhe me anëtarë të tjerë të Qeverisë.

Lazim Destanit në Samitin e dytë të Diasporës i jepen dy çmime “Shqiponja e Artë e Diasporës” dhe “Ambasador i Kombit” | FOTO

0

Jam i kënaqur që me pjesëmarrjen time pata mundësinë të kontribuoj në Samitin e dytë të Diasporës Shqiptare që i mbylli punimet sot në Tiranë. Me këtë rast i falënderoj organizatorët dhe autoritetet e Republikës së Shqipërisë për pritjen e ngrohtë dhe për angazhimin e tyre për mbajtjen e këtij Samiti të rëndësishëm për trojet tona. Një falënderim të veçantë ua përcjell autoriteteve të vendit për vlerësimin publik që ata i bënë punës dhe aktiviteteve të mia shumëvjeçare duke më nderuar me dy çmimet që më sollën ndjenjë të këndshme dhe emocion, “Shqiponja e Artë e Diasporës” dhe “Ambasador i Kombit”.

Kontributi për zhvillimin e viseve tona si dhe për mirëqenien e shoqërisë sonë gjithmonë ka qenë në vëmendjen time dhe këtë e kam parë si një detyrim timin. Janë të shumtë ata shqiptarë të diasporës sonë që e kanë dëshmuar se me punë dhe përkushtim e duke mbështetur njëri-tjetrin arrihen majat më të larta të sukseseve.

Në mënyrë të veçantë e falënderoj Ministrinë e Diasporës së Shqipërisë që i bëri bashkë të gjithë aktorët kyç në këtë mision të shenjtë për kombin tonë!