30/04/2024
15.8 C
Tetovo
Ballina Blog Faqe 2

Fronti dhe VLEN-i ndeshen në Tetovë?! Që të dy taborët njoftojnë se do t’i mbajnë tubimet përmbyllëse në Sheshin “Iliria”, më 6 maj

Një gjë që nuk ka ndodhur në zgjedhjet paraprake. Dy taborët shqiptare në zgjedhjet parlamentare, do t’i mbajnë tubimet përmbyllëse në po të njëjtin vend, në po të njëjtën datë dhe në po të njëjtën orë, transmeton TV21.

Fronti Europian tubimin përmbyllës e ka paralajmëruar  për në ora 20:00 më datë 6 maj 2024. Vendi Sheshi “Iliria” në Tetovë.

Por, ajo çfarë tërhoqi vëmendjen është se edhe VLEN njofton se do të mbajë tubimin përmbyllës po ashtu në Sheshin “Ilira” në Tetovë, më 6 maj 2024 dhe në ora 20:00.

 

KSHZ-ja nuk pranon ankesat për votimin në Likovë

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) sot në seancë vendosi që të mos pranohet ankesa për votim në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale të 24 prillit të koalicionit VLEN për vendvotimin 1112/1 në Komunën e Likovës, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Me sugjerim të anëtarit të KSHZ-së, Abdush Demiri, është hapur materiali zgjedhor konfidencial nga ky vendvotim dhe, siç tha ai, mungojnë dy fletëvotime, andaj ka kërkuar që votimi në këtë vendvotim të anulohet, ndërsa Bordi zgjedhor të shkarkohet.

Nënkryetarja e KSHZ-së, Ditmire Shehu, tha se votimi anulohet vetëm nëse ka më shumë fletë votimi në kuti, gjë që nuk ka ndodhur.

Anëtarët e KSHZ-së votuan dhe propozimi i Demirit nuk u pranua, dhe ai paralajmëroi se për këtë vendvotim do të ketë mendim të veçantë.

Në seancën e KSHZ-së janë pranuar edhe kërkesat për akreditime shtesë për rrethinë e dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të 8 majit.

“Mickoski nuk mund të matet me mua” – Ali Ahmeti: Më 8 maj qytetarë përcaktohen për izolim ose integrim

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, tha se zgjodhën dhe janë kontribuues të drejtpërdrejt të problemit me Greqinë dhe tha se si rezultat i kësaj, Maqedonia u anëtarësua në NATO duke krijuar siguri për vendin, ndërkohë shtoi se kontribuojnë për të zgjidhur problemin me Bullgarinë, transmeton TV21.

Ahmeti tutje shtoi se Fronti Europian dhe BDI ishin fitues absolut në kampin shqiptarë ndërkohë shtoi se janë për paqe dhe stabilitet.

“Qytetarët e dhanë vlerësimin e mendimin, fituesi absolut në kampin shqiptar ishte Fronti bashkë me BDI-në. Tani kemi dy filozofi, integrimin dhe izolimin. Për këtë, në referendumin e 8 majit qytetarët do të përcaktohen. Ne jemi për paq, ne jemi për stabilitet, ne jemi për siguri më të madhe, ne jemi për ardhmëri, ne nuk duan historinë ta kthejmë pas se ajo është e dhimbshme dhe si të tillë duhet ta kujtojmë që ajo mos të na përsëritet por të shohim ta ndërtojmë të ardhmen. E ardhmja jonë është në Bashkimin Europian, e ardhmja jonë është zero problem me fqinjët”, tha Ali Ahmeti.

Ndërkohë, tha se Mickoski nuk mund të matet me të.

“Mos ma bëjë ujin mullarë se ai s’mund të matet me mua”, u shpreh Ahmeti.

Mickoski nga Bërvenica: Qeverinë e ardhshme do ta kryesojë VMRO-DPMNE-ja, BDI do të shkojë në opozitë

Në kuadër të fushatës parlamentare “Maqedonia sërish e jotja! Ndryshimet në duart e tua” VMRO-DPMNE mbajti tubim në Jançishtë, Komuna e Jegunovcës dhe në Bërvenicë të Tetovës. Kryetari Hristian Mickoski, bartësja e listës së kandidatëve për njësinë e gjashtë zgjehdore, Dafina Stojanoska si dhe kandidatja për presidente Gordana Siljanovska Davkova folën para qytetarëve të pranishëm.

Taravari: Në qeverinë e re, rininë do t’a kemi prioritet

Lideri i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari deklaroi sot se në qeverinë e ardhshme rinia do të ketë prioritet.

Kisha sot kënaqësinë që bashkë me Bilallin dhe kandidatët për Deputet nga Koalicioni VLEN, të takohesha me të Rinjtë e VLEN-it dhe qytetarët e Gostivarit.
Kuptova se sa shpresë dhe potencial kanë të Rinjtë tanë!
Ne prezantuam programin parlamentar dhe jemi gati në Qeverinë e Re ta kemi Rininë prioritet. (INA)

Ahmeti nga Tearca: Më 8 maj vendoset se a do të shkojmë drejt integrimit

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në kuadër të fushatës zgjedhore parlamentare ka vazhduar takimet me banorët e Tearcës. Para simpatizantëve, Ahmeti ka theksuar se tani kemi dy opsione, opsioni i integrimit dhe opsioni i vendnumërimit.

“Me 8 maj vendoset a do të shkojmë drejt integrimit apo do të ulemi në kolltukë për të vendnumëruar dhe ta bëjmë si ajo porosia e Gjergj Fishtës që thotë: A i kishte mytesarifi Arifi kësulën qyp apo mullar!? Për këtë të dytën le të ndalen ata që mendojnë për vendnumëro dhe le të shohin se si e ka mytesarifi kësulën “qyp apo mullar”? Ne e kemi ndarë mendjen se ardhmëria e vendit tonë është Bashkimi Evropian, nuk ka filozofi dhe teori tjetër që mund ta vërtetojë të kundërtën. Lëre që s’ka teori dhe praktikë që mund të kundërtën të na e dëshmojë por akoma nuk kanë lindur burra në këtë vend që mund të na bindin për ndryshe se ne e kemi vënë moton: Po EVROPËS dhe JO Rusisë! Fundi i fundit atdheu i të parëve i të gjithë evropianëve është Mesdheu, është Ballkani, janë edhe tokat shqiptare. Evropa e qetë nuk mund të jetë edhe pa hapësirat e Ballkanit Perëndimor, koha dhe historia e ka dëshmuar që paqja, stabiliteti dhe siguria janë të qëndrueshme kur triumfojnë në hapësira të gjëra, në shumë vende e shtete prandaj edhe kjo copë e vogël e Evropës që ka mbetur është momenti i fundit që të jetë pjesë e saj. Na kanë dëshmuar shumë personalitete të Evropës, po e bëtë edhe hapin e pritshëm, ndryshimin e Kushtetutës brenda katërt viteve jeni anëtarë të Bashkimit Evropian. Unë e shoh që rezistenca është e madhe, rezistencë patriotike nga opozita maqedonase, se gjoja po shiten interesat kombëtare dhe se kombi maqedonas është i rrezikuar drejt asimilimit dhe tjetërsimit. Përse përcjellin këtë mesazh ogurzi tek popujt tjerë, pse e vënë në dyshim identitetin e vet kombëtar, ai që është maqedonas është maqedonas, ai që është bullgar është bullgar, ai që është shqiptar është shqiptar dhe jo sipas stinëve të nderojnë gëzofin, kështu që dëshmi se asgjë nuk do të ndodhë por përkundrazi do të forcohen komuniteti maqedonas me futjen e bullgarëve në Kushtetutë dhe garancia nga komuniteti ndërkombëtar, nga Bashkimi Evropian, nga SHBA-ja është që nuk ka as kërkesa shtesë nga pala bullgare e as nuk do të ketë prandaj mos të bëhen peng për anëtarësimin e vendit në BE si e vetmja alternativë që ne mund të ndalim njerëzit në kërkim të standardeve më të fuqishme dhe më të mira drejt vendeve të Evropës”, tha Ahmeti.

E vetmja alternativë, sipas tij, që na mundëson të bëjmë programe për kthimin e atyre që janë në Evropë, kush është patriot e atdhetar dhe ta dojë këtë vend, duhet ta kuptojë, sot është momenti i duhur, momenti historik që vendi ynë të ecë përpara dhe jo të qëndrojë në vendnumërim.

Sot është momenti historik, po ndërtojmë ardhmërinë e shtetit, po forcojmë demokracinë, paqen stabilitetin, zero problem me fqinjët. Çdo patriotizëm pa mbulesë, çdo provokim e ofendim në adresë të Frontit dhe në veçanti të Bashkimit Demokratik për Integrim që nën emër justifikohen me BDI-në sepse është politikë antishqiptare, nuk është çështje e BDI-së por është çështje antishqiptare, çdo kthim pas është i rrezikshëm për vendin, për stabilitetin dhe marrëdhëniet ndëretnike. Përgjegjësinë për stabilitet, për qetësi e paqe në këtë vend e mbajnë dy komunitetet më të mëdha shqiptarët dhe maqedonasit, prandaj duhet të jemi të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm se çfarë flasim sepse po të vijë puna për trimëri, nuk është mirë që të matemi, iku koha e trimërisë, pushka pas luftës nuk ka vlerë, ashtu siç fjala pas kuvendit është e pavlerë”, ka deklaruar kryetari i BDI-së Ali Ahmeti në Tearcë.

Taravari: Ahmeti me “shkues” te VMRO – ja për koalicion pa kushte

Nëse vazhdojnë me presione dhe shantazhe sikurse me 24 prill, unë do të dalë me emra dhe mbiemra të atyre njerëzve, veçanërisht të policëve që kanë shantazhuar banorë të fshatit Çegran. Këtë paralajmërim e ka bërë kryetari i komunës së Gostivarit dhe ASH-së, Arben Taravari sot nga një aktivitet të Forumit Rinor të VLEN në sheshin e Gostivarit.

Taravari porositi se këta njerëz do të përgjigjen, prandaj duhet ta mendojnë mirë pasi, siç ai shtoi, me 9 maj vjen qeveri e re.

“Me gjithë këto mekanizma që i përdor BDI-ja dhe me gjithë këto para që ka dhe me gjithë këto institucione…, prandaj unë prej këtu kisha bërë një apel policisë në Gostivar, posaçërisht në fshatin Çegran, por edhe institucioneve tjera të cilat bizneseve u bëjnë presione e që i kemi me emra e mbiemra, disa edhe me video, le ta mendojnë se me 9 maj do të kemi qeveri të te dhe këta njerëz do të përgjigjen”, deklaroi Taravari.

Qeveria e ardhshme do të jetë qeveri e ndryshimit, atë që e duan qytetarët, tha më tej Taravari dhe shtoi se garancë më e madhe se VLEN për rrugën evropiane të vendit nuk ka.

“Nuk dua tash të bëjë spekulime, por dëgjojë se ka sinjale. Sikurse z. Ahmeti që dërgon, siç e dëgjova dje, shkuzë për te VMRO-ja që pa kushte të hynë në Qeveri dhe dëgjojë se edhe do deputetë veçmë negociojnë me VMRO-në”, tha Taravari.

Taravarin në sheshin e Gostivarit e shoqëronin Bilall Kasami, bartës i njësisë zgjedhore gjashtë për deputetë nga kolaicioni “VLEN”, dhe kandidatë të tjerë të koalicionit për deputetë. I pyetur se si e komenton deklaratën e Mickoskit se sikurse BDI edhe VLEN bisedojnë me VMRO-në pa kushte për qeveri, Kasami tha se kjo nuk është e vërtetë.

“Brenda programit janë edhe ndryshimet kushtetuese, pra një ndër pikat kryesore të programit tonë janë edhe ndryshimet kushtetuese”, theksoi Kasami.

U kapën me 599 dokumente të falsifikuara, arrestohen në Greqi dy shtetas të RMV-së

“Dy shtetas të Maqedonisë së Veriut u arrestuan në Greqi dhe më pas u dënuan me burg, pasi policia greke gjatë bastisjes të së premtes në pikën kufitare të Dojranit iu gjet 599 dokumente të falsifikuara bosh”, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Athina.

Policia greke bëri të ditur se dy personat u arrestuan pasi u kontrolluan me hyrjen në Greqi, dhe i’u gjetën gjithsej 440 dokumente bosh (karta identiteti, patentë shoferi, leje qëndrimi) nga vende të ndryshme evropiane.

Gjatë kontrollit të automjetit, në bagazhin e automjetit janë gjetur edhe 159 dokumente të tjera bosh, të cilat gjithashtu janë sekuestruar.

Agjencia greke e lajmeve “ANA-MPA” raportoi se Gjykata Penale në Kukous i shpalli fajtorë të dy të arrestuarit për falsifikim dhe komplot për përfitime ekonomike dhe i dënoi me pesë vjet burg.

Sipas “ANA-MPA”, dy të akuzuarit nuk kanë bërë të ditur detaje nga aktivitetet e tyre gjatë seancës dhe janë mbrojtur duke heshtur.

“Përplasjet Ahmeti-Mickoski dëmtojnë partitë”

Retorika e ashpërsuar politike me afrimin e zgjedhjeve nuk sjell përfitime për partitë politike por përkundrazi, u sjell atyre pikë negative, shkruan Alsat.

Kështu vlerëson njohësi i zhvillimeve politike Sinisha Pekevski duke komentuar përplasjet dhe akuzat e BDI-së drejtuar Mickoskit dhe koalicionit të mundshëm të tij me opozitën shqiptare VLEN.

“Zhurmën që e bën lideri i BDI-së për momentin nuk çon askund dhe përfundimisht ata duhet ta pranojnë se do të jenë opozitë. E para, qytetarët i dërgojnë në opozitë por e dyta, edhe mbështetësit e tyre në BE ose në SHBA ua bënë të qartë me vendosjen e Ramiz Merkos në listën e zezë se ata janë pjekur për në opozitë dhe se është koha të qetësohet pak gjithë situata”, tha Sinisha Pekevski, analist politik.

Sipas Pekevskit, parimi “fituesi me fituesin” është temë e mbyllur pasi nuk u respektua fillimisht nga vetë BDI-ja.

“Në zgjedhje mund të ketë vetëm një fitues dhe nuk mund të ekzistojë blloku maqedonas, shqiptar, turk, vlleh, rom. Ekzistojnë zgjedhje në të cilat partitë politike bëjnë garë. Fitues i zgjedhjeve me shumë siguri do të jetë VMRO-DPMNE-ja dhe me kë do të bëjë qeveri është zgjedhje e tyre edhe pse oferta deri te VLEN është dorëzuar dhe mendoj se ata tashmë janë marrë vesh se si do të funksionojë ajo qeveri. Parimin e mëhershëm që e imponuan të njohur si “fituesi me fituesin” e shkeli BDI-ja dhe ajo temë më është mbyllur” , u shpreh Sinisha Pekevski, analist politik.

Sipas Pekevskit, pikë negative për partitë në pushtet sjell edhe fajësimi që ditë më parë i bëri LSDM-ja – BDI-së për rezultatin e dobët në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale, të partisë maqedonase në pushtet./ Alsat.mk

Mexhiti: Orientimi proevropian kusht i jonë për të qenë pjesë e Qeverisë

Kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, nga Çarshia e Shkupit, tha se ata sot e kanë shpërndarë programin e tyre me vizitorët e Çarshisë.

Sa i përket VLEN-it dhe hyrjes në qeverinë e ardhshme, Mexhiti, tha se një prej pikave është orientimi evropian i qeverisë.

“Ne nuk duam me çdo kusht të jemi pjesë e çfarëdolloj qeverie që nuk e ka orientimin të qartë drejt integrimeve evropiane”, ka deklaruar Izet Mexhiti, shkruan SHENJA.

Mexhiti tha se ata vlerësojnë se vetëm Levica është parti e tillë, e cila nuk ka orientim proevropian.
Mexhiti tha se ata janë të bindur se do të kenë më tepër deputetët shqiptarë dhe do të jenë fitues të legjitimitetit të shqiptarëve.