06/05/2024
14.1 C
Tetovo
Ballina Blog Faqe 2

Nis distribuimi i materialit zgjedhor – 3.6 milionë fletëvotime për zgjedhjet e dyfishta!

Nga shtypshkronja “Kiro Dandaro” në Manastir nisi distribuimi i materialit zgjedhor nëpër komisionet zgjedhore. Për zgjedhjet e dyfishta të 8 majit, janë distribuar 3.6 milionë fletëvotime.

Kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski, thotë se me sukses kanë përfunduar përgatitjet për zgjedhjet e 8 majit.

“Gjithçka përfundoi me sukses. Tani mbetet vetëm që të dëshirojmë fat për rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe zgjedhjeve të rregullta parlamentare, pasi na ndajnë vetëm disa ditë. Tashmë në mënyrë shumë më efikase e distribuojmë materialin e besueshëm zgjedhor”, tha Aleksandar Dashtevski.

Kanë votuar 140 anëtarët e këshillave zgjedhore që shkojnë nëpër përfaqësitë diplomatiko-konsulare për t`i zbatuar zgjedhjet në diasporë.

Diaspora do të votojë vetëm për presidentin, për shkak se nuk pati interesim për zgjedhjet parlamentare. Por, të gjithë ata që do të vijnë në ditën e zgjedhjeve, mund ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës.

Në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, 1.814.317 qytetarë kanë të drejtë të votojnë për njërin nga dy kandidatët.

Për zgjedhjet parlamentare, 17 parti dhe koalicioni dorëzuan lista të kandidatëve, ku të drejtë vote kanë 1.815.350 qytetarë.

Zgjedhjet e dyfishta të 8 majit do të ndiqen nga 1.800 monitorues nga vendi dhe të huaj.

Mexhiti: Ata që vjedhin vota nuk falen këtë herë – do të ballafaqohen me drejtësinë

Lideri i Lëvizjes Demokratike Izet Mexhiti thotë se, të gjitha ata që vjedhin vota dhe manipulojnë procesin zgjedhor do të ballafaqohen me drejtësinë.

“E shohim se këto ditë pati edhe vendim nga Gjykata Administrative që konstatoi vjedhjen e votave në Likovë.
Shfryzëzoj rastin të them se të gjithë ata do të mbajnë përgjegjësi para gjyqit dhe organeve të drejtësis.
Secili që ndërmerr një hap të tillë kësaj radhe do të falen, por do të ballafaqohen me drejtësinë”, është shprehur Mexhiti. (INA)

Dy persona humbën jetën në një ndeshje komunikacioni në RMV, një tjetër ka lëndime të rënda trupore

Policia e Maqedonisë së Veriut sot ka dhënë detaje nga një ndeshje komunikacioni që ndodhi dje pasdite, ku në vendin e ngjarjes humbën jetën dy persona.

“Më 3 maj, në ora 18:05 në SPB është raportuar se në rrugën magjistrale A-4, në dalje nga Rodovishi kah Shtipi, ka ndodhur një ndeshje tragjike e komunikacionit ndërmjet veturës “Pasat” me tabela nga Radvoishi dhe veturës “Opel” me tabela provuese”, raporton Policia.

Në veturën “Pasat” ngasës ishte 27 vjeçari M.L. nga Radovishi, ndërsa në veturën “Opel” ngasës ishte 49 vjeçari Zh.G. nga Radovishi. Të dy ndërruan jetë në vendin e ngjarjes.

Në këtë ndeshje, lëndime të rënda trupore ka marrë edhe 41 vjeçarja e cila ishte në veturën “Opel”.

Osmani: Mickoski mund ta ftojë VLEN-in në kafe, por jo në Qeveri!

Fronti Evropian e ka bërë të qartë edhe njëherë se për ta, është e papranueshme Qeveria e cila nuk do të përfshijë partinë fituese te komuniteti shqiptar.

Në një deklaratë të dhënë për media pas një debati të organizuar për temën e nacionalizmin në shtetet multietnike, Osmani tha se, VMRO mund ta ftojë VLEN-in të jetë pjesë e koalicionit të kësaj partie, por jo të qeverisë.

“Zotëri Mickoski VLEN-in mund ta ftojë në kafe, në qytet, në shpi, ose në koalicionin Maqedonia përsëri e jotja dhe nëse VLEN-i thotë do të jemi në qeverisje si pjesë e koalicionit të VMRO – DPMNE-së me partnerët e tyre se ato kanë 20 parti, nëse e kanë edhe VLEN-in, jemi në rregull ne nuk kemi asgjë, por përfaqësuesit të popullit shqiptar do të jenë ata që do t’i zgjedhë populli” – tha Bujar Osmani.

E nga ana tjetër, VLEN është e bindur se do të jetë pjesëmarrëse në Qeverinë e ardhshme. I pyetur nëse në Qeverinë e ardhshme, përpos VMRO-s dhe VLEN-it, do të jetë edhe ndonjë parti tjetër, Izet Mexhiti nga blloku opozitar shqiptar tha se po shqyrtohen më shumë kombinime.

“Ka më shumë kombinime, por të gjitha kombinimet janë në favor të VLEN-it dhe asnjë kombinim nuk shkon në favor të BDI-së. Sepse, asnjë subjekt, asnjë tabor politik nuk e dëshiron bashkëpunimin me BDI-n” – tha Izet Mexhiti.

Kujtojmë se VMRO – DPMNE, e cila pritet t’i fitojë zgjedhjet parlamentare, paralajmëroi se nuk do të bëjë koalicion qeveritar me BDI-në, por me opozitën shqiptare. /tvklan.mk/

Të gjitha ndeshjet do të luhen sot prej orës 17:00, “finalja” shqiptare do të jetë në Shkup

Java e XXXI-të në futbollin e Maqedonisë së Veriut do të sjellë një derbi shqiptar në Çair, atë ndërmjet Shkupit dhe Shkëndijës. Të dy ekipet kanë pikë të barabarta.

Ndeshja do të luhet në stadiumin e Çairit, duke filluar nga ora 17:00. Kryesia e ekipit vendas ka vendosur që biletat për këtë ndeshje të jenë falas për të gjithë.

Në të njëjtën kohë do të luhet edhe ndeshja ndërmjet Strugës dhe Gostivarit, si dhe ajo ndërmjet Voska Sportit dhe Sileksit.

Duke filluar prej orës 17:00, do të luhen edhe ndeshjet tjera: Akadmia Brera – Bregallnicës, Vardar – Makedonija dhe Rabotnicki – Tikveshi.

Në krye të tabelës gjendet Shkëndija, Struga dhe Shkupi me nga 58 pikë, ndërsa Gostviari gjendet e gjashta me 40 pikë, ndërsa Voska Sporti e nënta me 37 pikë. Pas kësaj jave, kanë ngelur edhe dy javë tjera, duke përfshirë edhe dy ndeshjet e rëndësishme Shkëndija – Struga (12 maj) dhe Struga – Shkupi (19 maj).

Në sezonin 2024/25 në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut do të jetë edhe ekipi tjetër shqiptar, Besa e Dobërdollit, pasi arriti të bëhet kampion në Ligën e Dytë në sezonin 2023/24.

Çfarë nëse VMRO-ja e anashkalon Frontin Europian?

Çfarë nëse VMRO-DPMNE-ja, si favorite për të fituar në bllokun maqedonas, do ta anashkalonte Frontin Europian – si fituese në bllokun shqiptar në formimin e Qeverisë së ardhshme në Maqedoninë e Veriut?

Kjo është pyetja që iu parashtruar kandidatit për deputet, nga Fronti Europian dhe kryeministër, Talat Xhaferit nga BDI-ja, transmeton TV21

Xhaferi nuk ka dha një qëndrim, pasi siç tha, për këtë çështje do të duhet të dakordohen dhe më pas të prononcohen partitë e Frontit Europian.

“Për çështje konkrete, pas mbarimit të zgjedhjeve. Organet partiake të Frontit Europian… Ka strukturë udhëheqëse të Frontit… Çështja do të diskutohet… Normal që do të ketë vendim përkatës”, tha Xhaferi.

Alarmante numri i lindjeve në moshë të mitur fëmija lind fëmijë , institucionet nuk ndërmarin asnjë hap!?

Numri i vajzave nga 15 deri në 19 vjeç që jetojnë në bashkësi martesore është pesë herë më i madh se sa numri i djemve në këtë moshë, përkatësisht në martesë jetojnë 1.355 adoleshente kundrejt 260 adoleshentëve. Njëkohësisht, 1,9 përqind nga numri i përgjithshëm i popullatës femërore në këtë grup moshë ka lindur një ose më shumë fëmijë, që është rënie e lehtë krahasuar me numrat e vitit 2018, shkruan Radio MOF.

Këto të dhëna janë pjesë e publikimit “Profil i popullatës së fëmijëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, i cili i nxjerr të dhënat nga regjistrimi i fundit në vitin 2021, që është po ashtu edhe dokumenti i parë që i mbledhë të gjitha të dhënat në një vend për fëmijët nga vendi.

Komunat me përqindje më të lartë të adoleshentëve nga 15 deri në 19 vjeç të cilët janë të martuar, janë Strumica (104), Shuto Orizara (78), Prilepi (73), Radovish (54), Gostivar (53) dhe Tetova (48).

“Pavarësisht numrave absolut, nëse analizohet pjesa e adoleshentëve të martuar në kuadër të grup moshën së vajzave në moshën 15-19 vjeç, fitohet një pasqyrë ndryshe”, thuhet në publikimin e UNICEFI- it.

Aktivistja e të drejtave për gra, Rita Behadini nga Qendra për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja” vlerëson se numrat e këtillë janë shqetësues, ndërsa për to janë përgjegjëse institucionet.

“Nëse analizojmë në çfarëdo lloj aspekti, këto martesa nuk janë të shëndetshme dhe i kufizojnë adoleshentët si në aspekt të rritjes dhe zhvillimit, ashtu edhe financiarisht”, thotë Behadini për Radio MOF.

Sipas ligjit për familje, personi i cili nuk ka 18 vjeç nuk mund të lidh martesë. Por, ligji parasheh përjashtim, me të cilin mund të formohet bashkësi martesore me mbushjen e 16 vjeç, nëse gjykata kompetente konstaton se personi ka arritur pjekurinë fizike dhe mendore për të lidhur martesë.

Organizata joqeveritare “ROMA.S.O.S” në vitin 2016 kërkonte ndryshim të rregullativës ligjore që të ndalohet lidhja e martesave në moshë të mitur. Por, organizata nuk është aktive nga viti 2019, me çka nuk u vazhdua procesi.

Nuk ka evidencë për bashkësi jashtëmartesore me të mitur

Ligji për familje nuk i parasheh bashkësitë jashtëmartesore mes apo me persona të mitur, që është një nga arsyet për mospasjen e evidencës për numrin e tyre në shoqëri.

Bashkësia jashtëmartesore me fëmijë sanksionohet sipas Kodit Penal (KP). Me nismën e Avokatit të popullit dorëzuar Qeverisë në vitin 2017, personit të rritur që jeton në bashkësi jashtëmartesore me një person tjetër që nuk ka mbushur 18 vjeç, i shqiptohet dënim prej tre muaj deri në tre vjeç, por edhe prindit/kujdestarit që e ka lejuar atë. Me nismën e avokatit të popullit, kufiri i sipërm i moshën në KP u zhvendos nga 16 në 18 vjeç.

Zëvendësja e Avokatit të popullit, Vaska Bajramovska – Mustafa thotë se me këtë ndryshim pjesërisht është pranuar kërkesa, sepse nëse një person i mitur është mes 16 dhe 18 vjeç, përndjekja penale do të realizohet me propozim.

Me iniciativën kërkohet që të plotësohet edhe ligji i familjes me dispozitë me të cilën do të ndalohet jetesa e të miturve në bashkësi jashtëmartesore.

Më tej, kërkohet edhe plotësimi i ligjit për arsim të mesëm duke vendosur detyrim për prindërit të paraqesin kur braktiset procesi arsimor nga fëmijët e tyre, për shkak të bashkësisë martesore përkatësisht jashtëmartesore.

Bajramovska – Mustafa informoi për Radio MOF se Qeveria në seancën e mbajtur më 29.11.2017 ka sjellë konkludim që të pranojë iniciativën.

“Megjithatë, deri më tani ndryshimet e ligjit për familje dhe ligjit për arsim të mesëm nuk janë miratuar në praktikë”, tha ajo.

Martesat e fëmijëve, sipas saj, janë shkak i varfërisë, dhunës familjare, por edhe rrezikut të tregtisë me njerëz, posaçërisht në raste kur bëhet fjalë për jetë jashtëmartesore me fëmijë/person jashtë shtetit.

“Për këtë, përpos ndryshimeve sistematike, përmes përforcimit të ligjeve dhe duke hequr përjashtimet, nevojiten masa të vazhdueshme për uljen e varfërisë si shkak për të cilën shpesh herë familjet e miratojnë përkatësisht nxisin martesën e hershme të fëmijëve të tyre (posaçërisht vajzave), vlerësoj se rol kyç në ndryshim të qëndrimeve dhe ngritjen e vetëdijes ka arsimi, rritja e aftësive dhe njohurive dhe pjesëmarrja sa më e madhe e fëmijëve dhe aftësimi i tyre në miratimin e vendimeve që kanë të bëjnë me to, përkatësisht të drejtat e tyre”, thotë Bajramovska – Mustafa.

Nuk ulet numri i lindjeve në moshë të adoleshencës

Shkalla e lindjeve tek adoleshentet është 20 lindje (19,7) në 1000 vajza të moshës 15-19 vjeç. Nëse këto të dhëna krahasohen me Hulumtimin Multi-indikator Klasterik (MIKS) që u zbatua në vitin 2018 dhe 2019, në një mostër prej më shumë se 4000 amvisërive, ka ulje të lehtë të shkallës së lindjes mes adoleshenteve, prej 21 në 20.

Përqindje më të madhe të nënave të reja prej 15 deri 19 vjeç ka te vajzat nga përkatësia etnike rome, mes të cilave 13,1 % e vajzave në këtë grup moshë kanë lindur një apo më shumë fëmijë. Përqindje të madhe të lindjeve tek adoleshentet ka edhe mes vajzave të moshës 15-19 vjeç të regjistruara përmes burimeve administrative, për çka përkatësia etnike e tyre mbetet e panjohur.

AGJS në shkolla për më pak lindje dhe bashkësi (jashtë)martesore me të mitur

Nga organizata joqeveritare HERA e cila është një ndër iniciatorët për futjen e arsimit gjithëpërfshirës seksual (AGJS) në programet e edukimit formal thonë për Radio MOF se, shkalla e shtatzënisë te të miturat në Maqedoni është ndër më të lartat në Evropë.

“15.7 lindje në 1000 raste, që është trefish më e lartë nga mesatarja prej 6 në 1000 lindje në vendet e BE-së”, alarmojnë prej aty.

Qëllimi i AGJS-së, thonë nga HERA, është që të rinjve t’u ofrohet arsim me të cilin ata do të marrin njohur bazike që të mund të sjellin vendime përgjegjëse për seksualitetin e tyre dhe lidhjet në të cilat hynë. Një pjesë e programit i kushtohet shëndetit riproduktiv dhe seksual.

“Përmes kësaj, të rinjtë mësojnë për kontracepsionin, për infeksionet të transmetueshme seksualisht dhe si të mbrohen prej tyre, sqarohen dyshimet për ditët pjellore dhe shanset për të mbetur shtatzënë gjatë menstruacioneve, si të njohin marrëdhëniet toksike dhe të dhunshme, gjithashtu flet për karakteristikat e marrëdhënieve të shëndosha, përballjen me presionin e bashkëmoshatarëve dhe detyrimin për të kryer marrëdhënie seksuale, për pëlqimin gjatë kryerjes së marrëdhënieve të para seksuale, parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna seksuale dhe me bazë gjinore”, theksojnë nga HERA.

Më tej, ata tregojnë shembullin me Holandën ku arsimi formal seksual vazhdon një periudhë më të gjatë dhe pa ndërprerje. Mosha mesatare në të cilën të rinjtë kryejnë marrëdhënien e parë seksuale aty në vitin 2019 ka qenë 17 vjeç, ndërsa në vitin 2022 të rinjtë, mesatarisht kanë pasur përvojën e parë seksuale në 18,1 vjeç.

Pilot projekti për AGJS ishte i suksesshëm në vitin 2021/2022 në tri shkolla fillore në vend, si lëndë zgjedhore për klasën e nëntë.

“Evaluimi i cili u zbatua më pas tregoi se mes nxënësve që kanë dëgjuar AGJS – edhe atë vetëm një gjysmë vjetor – dhe moshatarët e tyre në shkollat kontrolluese ka dallime të konsiderueshme jo vetëm në njohuri, por edhe në qëndrimet në lidhje me të gjitha temat”, theksojnë nga HERA.

Edhe aktivistja Behadini vlerëson se AGJS është mënyrë për uljen e numrit të martesave në moshë të adoleshencës, por edhe lindjet.

“Fëmijët kanë qasje të pakontrollueshme në internet dhe shumë shpesh marrin informata të gabuara të cilat mund të kenë pasoja serioze. Nëse adoleshentët i marrin informatat e sakta në shkollë, mundësia për gabim në këto gjëra do të jetë shumë më e vogël”, thekson ajo.

Por, kanë kaluar pothuajse dy vite prej pilot projektit për AGJS si lëndë zgjedhore. Megjithatë, nga HERA thonë se në pajtueshmëri me konceptin e ri për arsim fillor, AGJS do të vendoset si lëndë zgjedhore në klasën e 9-të.

“Së bashku me institucionet kyçe punojmë në ndarjen e informatave në lidhje me AGJS, ndërsa njëkohësisht punohet edhe në zhvillimin e kapacitetit të kuadrit arsimor dhe personave profesionistë të cilët janë përgjegjës për zbatimin e programit”, informojnë prej aty.

Ndryshe, vullnetarët e HERA-s realizojnë edukimin e bashkëmoshatarëve në AGJS. Prej aty thonë se interesimi i shkollave është i madh, sepse është e madhe edhe nevoja për t’iu përgjigjur sfidave me të cilat përballen në punën e përditshme.

SASHK-u kërkon ndryshime në programin arsimor

 Sindikata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SASHK) do të kërkojë nga Qeveria e ardhshme dhe ministri i Arsimit që t’i heqin të gjitha mangësitë që janë konstatuar nga mësimdhënësit në konceptin e ri arsimor, i cili u zbatua si pilot- projekt nga ky vit shkollor.

“Nuk e di nëse do të vazhdojë të realizohet koncepti apo ndoshta do të ketë ndonjë ndërprerje dhe ndonjë “bajpas” derisa kjo gjeneratë të vazhdojë kështu deri në fund, por të gjitha ato vërejtje që i bëjnë kolegët e fushës, të cilët thonë se disa gjëra nuk janë të realizueshme, do të kërkojmë që të ndryshohet ligjërisht dhe ndryshimet të bëhen praktikisht me realizim”, tha Jakim Nedellkov, kryetar i SASHK-ut.

Në SASHK thonë se do të kërkojnë zgjidhje të menjëhershme për problemin e mungesës së teksteve shkollore. Nedellkov thotë se përgjegjësia për këtë gjendje është vetëm e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

“Mësuesit janë të përgatitur dhe të edukuar, që edhe pa tekste mësimore, mësimin ta kryejnë me cilësi. Është problem më i madh për nxënësit dhe prindërit. Dhe mendoj se është e palejueshme, nëse është e rregulluar me ligj që arsimi të jetë falas, ndër të cilët tekstet dhe mjetet mësimore të dorëzohen në kohë, atëherë është obligim i shtetit që kjo të zgjidhet njëherë e përgjithmonë”, shtoi Jakim Nedellkov, kryetar i SASHK-ut.

“Mësuesit nuk mund t’u kërkojnë nxënësve njohuri më të mëdha se këto që i kanë, nga shënimet nëpër fletore. Tekstet shkollore na ndihmojnë, por për konceptin e ri të punës sipas programit të ri, duhet të dimë se çfarë duhet të bëjmë me nxënësit. Kjo s’ka të bëjë as me drejtorët, as me mësuesit e as me nxënësit. Ministria e Arsimit është e obliguar të bëjë shpërndarjen e teksteve”, deklaroi Marina Gjorgoska – drejtoreshë e SH.F “Hristo Uzunov”- Ohër.

Ndryshe, Komisioni për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi që në muajin tetor ka ngritur padi kundër Ministrisë së Arsimit për shkak të mungesës së teksteve në shkollat ​​fillore në mbarë vendin. Nga gjithsej 126 tekste shkollore, mungojnë 43.(koha.mk)

Kovaçevski: Bëmë gabime me BDI-në dhe zgjidhjet kadrovike – qytetarët na dënuan!

Analiza preliminare e shtabit zgjedhor të socialdemokratëve ka treguar se pakënaqësitë e qytetarëve që janë reflektuar në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale, kanë të bëjnë me disa zgjidhje kadrovike, sjellja e një pjese të partnerëve të koalicionit, para së gjithash BDI-së, inflacioni dhe mosbesimi në sistemin gjyqësor.

Këto, sipas liderit të LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, kanë qenë arsyet, që kanë dënuar partinë më 24 prill.

“Duhet të mësohet nga gabimet e së kaluarës dhe të mos përsëriten. Ky dënim na u dha më 24 prill, por jo edhe idesë për Maqedoni Evropiane. Nuk do të pranoj kritika nga VMRO-DPMNE dhe Hristijan Mickoski, nxënësit të Nikola Gruevskit. Sabotimi i sërishëm I së ardhmes së vendit, nga Mickoski dhe kandidatja presidenciale Siljanovska, do të thotë se VMRO-ja nuk ka ndryshuar” – tha Dimitar Kovaçevski, LSDM.

Gjatë periudhës së kaluar, sipas Kovaçevskit, ka patur retorikë të rrezikshme, që mund të nxisin tensione ndëretnike. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të parandalojnë këto tentative, duke e quajtur të papërgjegjshme sjelljen e VMRO-së dhe BDI-së.

“Dua t`u dërgoj mesazh Mickoskit, Ahmetit dhe Siljanovskës. Ndalni përplasjet, brohoritjet dhe kërcënimet që nuk i sjellin të mira vendit. Kemi detyrë morale ndaj jush dhe brezave të ardhshëm që “përplasemi” me ide dhe projekte e jo me kërcënime dhe frikësime” – tha Dimitar Kovaçevski, LSDM.

LSDM-ja është parti e fuqishme, sikurse në fitore ashtu edhe në disfata – tha Kovacevski duke u dërguar porosi oponentëve politik, por, sic tha, edhe atyre në mesin tonë, se nuk do të heqin dorë nga synimet për ta barë Maqdoninë vend evropian.

Lotaria amerikane/ Dalin sot përgjigjet për aplikuesit, ja ku mund të shihni nëse jeni fitues

Përgjigjet e Lotarisë amerikane DV 2025 dalin këtë të shtunë, në orën 18:00, me orën shqiptare. Të gjithë ata që kanë aplikuar për lotarinë amerikane, mund të kontrollojnë rezultatet nëse janë shpallur fitues në faqen e llotarisë amerikane në linkun dvprogram.state.gov.

Pasi të ndodheni në uebfaqen e Departamentit të Shtetit, duhet të klikoni mbi butonin “check status” e më pas të vendosni kodin unik që u është dhënë në tetor kur keni bërë edhe aplikimin.

Ju duhet të keni kodin e konfirmimit për të kontrolluar përgjigjet e lotarisë amerikane. Emrat fitues nuk publikohen nëpër gazeta apo faqe interneti.